25 vjet Policia e Kosovës, Sveçla: Qofshi shembulli më i mirë i fëmijëve që ëndërrojnë uniformën tuaj

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në përvjetorin e 25-të të Policisë së Kosovës, theksoi se, pas sakrificave të gjata dhe të mundimshme të popullit për liri, 25 vjet më parë erdhi dita për të themeluar shërbimin policor të Kosovës, i cili ishte domosdoshmëri e kohës dhe e vendit.

Sveçla përmendi heroin e parë të Policisë së Kosovës, Lazim Rexhepin, i cili ra në krye të detyrës më 11 shtator 2001. Ai theksoi se, dy vite pas themelimit të policisë, në përpjekjet e pandërprera për avancim dhe në shërbim të qytetarëve, policia përballej me humbjen e pjesëtarit të parë në krye të detyrës. Më 11 shtator 2001, heroi Lazim Rexhepi u vra nga një grup plaçkitësish të maskuar, duke u bërë heroi i parë që ra në krye të detyrës.

“23 vite më vonë, që nga ky rast dhe 25 vite nga themelimi i Policisë së Kosovës, vendi ynë shënon në historinë e tij 23 pjesëtarë të rënë në krye të detyrës. Sot, kur kemi në sallë familjarë dhe shumë kolegë të heronjve të rënë, shpreh admirimin më të lartë për ta, për qëndresën dhe përkushtimin e tyre në shërbim përkundër sfidave,” tha Sveçla.

Ai theksoi se 23 heronjtë janë pjesa më e lavdishme e Policisë së Kosovës, dhe nga heroi Lazim Rexhepi deri te heroi Afrim Bunjaku, ata dëshmuan se e mbrojnë betimin e dhënë dhe mbrojnë jetën dhe pronën e qytetarëve, integritetin dhe sovranitetin territorial të Kosovës, qoftë edhe me jetën e tyre.

“Gjatë pothuajse 4 viteve të mandatit tonë, policia ka arritur rezultate të jashtëzakonshme, duke goditur grupe kriminale, rrjete dhe laboratorë të drogës, terrorizmin, kontrabandën dhe korrupsionin. Më e rëndësishmja, ajo ka mbrojtur me çdo çmim integritetin tonë territorial dhe shtrirjen e sovranitetit, veçanërisht në veri të vendit.”

Sveçla gjithashtu theksoi se zona veriore e vendit, ku jeta e zyrtarëve policorë, pjesëtarëve të KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarëve dhe qytetarëve është rrezikuar nga grupe kriminale e terroriste të dirigjuara nga Serbia, po i kthehet çdo ditë e më shumë normalitetit të munguar prej një çerekshekulli. Ai kujtoi se këtë muaj bëhen një vit nga sulmi terrorist në Banjskë, ku rreshteri Afrim Bunjaku u vra në pritën e organizuar nga një grup terrorist me minë kundër këmbësorisë.

“Ky sulm terrorist shfaqi aspiratat e vazhdueshme të Serbisë ndaj territorit tonë dhe parandaloi realizimin e skenarit të saj për aneksimin e veriut të vendit. Drejtësia për Afrim Bunjakun dhe llogaridhënia e Serbisë për organizimin e këtij sulmi janë të domosdoshme,” tha Sveçla.

Më tej, ai shprehu mirënjohje për partnerët e Kosovës, që në këto 25 vite kanë kontribuar në forma të ndryshme për ngritjen e nivelit të Policisë së Kosovës.

“Për fatin e mirë të vendit tonë, historia e policisë shënon plot 60 gjenerata zyrtarësh policorë, shumë prej të cilëve nga të parat janë ende në shërbim. Më vjen keq që sot s’mund të takojmë secilin individualisht për t’i shprehur mirënjohjen tonë për shërbimin e tyre,” tha ai.

Në përvjetorin e 25-të, për herë të parë është intonuar gjithashtu himni zyrtar i Policisë së Kosovës. /Klankosova.tv/

Read Previous

Mbretëria e Bashkuar do të dërgojë qindra raketa të tjera në Ukrainë

Read Next

Rrëmbimi i qendrës komanduese të qelizës: Parazitët bërthamorë në midhjet e detit të thellë