Prokurorët e Përgjithshëm të 22 shteteve amerikane kanë ngritur padi kundër Presidentit Donald Trump për të bllokuar një urdhër ekzekutiv që refuzon njohjen e fëmijëve të lindur në këto shtete si shtetas amerikanë nëse prindërit e tyre janë emigrantë të paligjshëm.
Padia është depozituar në Gjykatën Federale të Qarkut në Masaçusets.
Për çështjen ka reaguar edhe Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta.
Ky i fundit ngriti sot një padi për të kundërshtuar urdhrin ekzekutiv të administratës Trump, të cilin e cilësoi antikushtetues, pasi synon të ndalojë shtetësinë me lindje.
Sipas Amendamentit të Katërmbëdhjetë të Kushtetutës së SHBA-së, të gjithë fëmijët e lindur në tokën amerikane automatikisht fitojnë shtetësinë amerikane dhe të drejtat që vijnë me të.
“Urdhri ekzekutiv i Presidentit, që përpiqet të heqë shtetësinë me lindje, është në mënyrë të qartë antikushtetues dhe, sinqerisht, antikombëtar”, tha Prokurori i Përgjithshëm Bonta.
Në vitin 1898, Gjykata e Lartë e SHBA-së konfirmoi këtë të drejtë në një rast të ngritur nga Wong Kim Ark, një burrë me prejardhje kineze, i lindur në San Francisko, të cilit iu mohua e drejta për t’u rikthyer në SHBA pas një udhëtimi jashtë vendit.
“Si vendlindja e Wong Kim Ark, një banor i San Franciskos që luftoi me sukses për të njohur shtetësinë e tij amerikane, Kalifornia dënon përpjekjet e Presidentit për të fshirë historinë dhe për të shpërfillur 125 vjet precedent të Gjykatës së Lartë. Ne kërkojmë nga një gjykatë që të parandalojë menjëherë hyrjen në fuqi të këtij urdhri dhe të sigurojë që të drejtat e fëmijëve të lindur në Amerikë të prekur nga ky urdhër të mbeten në fuqi ndërsa procesi gjyqësor vazhdon. Presidenti e ka tejkaluar në mënyrë të jashtëzakonshme autoritetin e tij me këtë urdhër dhe ne do ta mbajmë atë përgjegjës”.
Në padinë e sotme, 22 prokurorët e përgjithshëm shtetërorë, të udhëhequr nga Kalifornia, Nju Xhersi dhe Masaçusetsi, argumentojnë se urdhri ekzekutiv i paprecedentë i Presidentit Trump shkel Amendamentin e Katërmbëdhjetë të Kushtetutës së SHBA-së dhe Seksionin 1401 të Aktit të Imigracionit dhe Shtetësisë dhe duhet të bllokohet menjëherë para se të hyjë në fuqi ndërsa çështja gjyqësore vazhdon.