· Ukraina u ka lëshuar disa territore në rajonin e Donbasit forcave ruse. Kievi ka pranuar “suksesin e pjesshëm” të Rusisë ditët e fundit. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka përshkruar si “ferr” presionin nën të cilin janë forcat e tij në lindje të vendit. Ata kanë rimarrë dy fshatra pranë qytetit të Slovianskut, sipas gjeneralit ukrainas Oleksiy Hromov, por janë detyruar të braktisin një minierë qymyri që konsiderohet si një pozicion kyç mbrojtës, ndërsa forcat janë shtyrë në periferi të Avdiivka.
· Tre anije të tjera që transportonin drithë janë autorizuar të largohen nga portet e Ukrainës të premten si pjesë e një marrëveshjeje ndërkombëtare të ndërmjetësuar për të zhbllokuar eksportet e drithit dhe për të lehtësuar krizën globale të ushqimit. Anijet janë të destinuara për në Turqi, Irlandë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
· Ukraina do të marrë një tjetër paketë financimi me vlerë rreth 8 miliardë dollarë nga Bashkimi Europian deri në shtator, tha një burim i qeverisë gjermane për Reuters.
· Anëtarët e NATO-s po punojnë ngushtë me kompanitë për të siguruar që Ukraina të marrë më shumë furnizime me armë dhe pajisje për t’u përgatitur për një luftë të zgjatur me Rusinë, tha të enjten sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Ai i tha Reuters në një intervistë: “Ne po ofrojmë shumë mbështetje, por duhet të bëjmë edhe më shumë dhe të jemi të përgatitur për një afat të gjatë.”
· Amnesty International ka thënë se ushtria ukrainase po rrezikon jetën e civilëve duke qëndruar në zonat e banuara. Raporti është hedhur poshtë nga përfaqësuesit e qeverisë ukrainase. Studiuesit e grupit të të drejtave të njeriut zbuluan se forcat ukrainase po përdornin disa shkolla dhe spitale si baza, duke qëlluar pranë shtëpive. Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, akuzoi Amnesty-në për “shtrembërim të pamjes reale” dhe për faktin që kanë dështuar për të kuptuar situatën në terren./AnabelMedia/