153 gjoba u shqiptuan për 12 ditë ndaj gastronomëve

Pavarësisht rritjes së numrit të inspektorëve me 85 inspektorë të rinj, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka shqiptuar rreth 13 gjoba në ditë në periudhën 27 gusht deri më 7 shtator. Derisa, policia i ka shqiptuar mesatarisht rreth 2000 gjoba në ditë, kryesisht për qytetarët që nuk kanë mbajtur maska.

85 inspektorë për mbikëqyrjen e masave, që shpesh shkelen nga subjektet gastronome, janë shtuar nga 31 gushti.

Por, pavarësisht se në kafenetë në kryeqytet shpesh nuk ka as dezinfektues në tavolina, e as distancë prej një metri ndërmjet ulëseve, nga inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë janë shqiptuar 153 gjoba brenda 12 ditësh, apo shumëfish më pak se ato të shqiptuara nga policia.

“Nga data 27 të muajit të kaluar deri më datën 7 të këtij muaji ka realizuar rreth 3500 kontrolle zyrtare për mbikëqyrje të zbatimit të masave anti-COVID. Nga këto kontrolle zyrtare kanë rezultuar 153 gjoba që janë shqiptuar për operatorët e biznesit të cilët nuk i kanë respektuar masat e fundit të Qeverisë dhe ndaj 62 operatorëve të biznesit është shqiptuar masa ndëshkimore e mbylljes së përkohshme duke u cilësuar nga ana e inspektorëve si raste recidiviste”, ka thënë zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi.

Derisa policia mesatarisht i ka shqiptuar mbi 2000 gjoba në ditë.

Vetëm të premten e kaluar u shqiptuan mbi 4000 sosh.

Sipas Thaçit, këto shifra nuk mund të krahasohen.

“Nuk është krahasim real në pyetje për shkak se ne kemi rreth dy milionë banorë, por nuk i kemi dy milionë biznese, kështu që në proporcion… sigurisht që autoritetet kompetente në terren veprojnë në bazë të gjendjes faktike që ata e hasin. Inspektorët shqiptojnë masa ndëshkimore vetëm kur ka raste të shkeljes të cilat janë evidente dhe faktohen në momentin e inspektimit. Ne përveç gjobave që i kemi shqiptuar për operatorët e biznesit, kemi shqiptuar gjoba edhe për personat fizikë”, ka deklaruar ai./Koha.net

Read Previous

Përurohet monografia “Strategu dhe Burrështetasi Sulejman Vokshi”

Read Next

Vetëm kosovarët e vaksinuar lejohen të hyjnë në Zvicër