127 ushtarë u larguan nga FSK gjatë këtij viti – opozita thotë se kjo është shifër alarmuese

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka diskutuar për gjendjen e Ministrisë së Mbrojtjes, dhe situatën brenda FSK-së.

Lidhur me këtë ka raportuar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Anëtari i këtij komisioni nga PDK, Rashit Qalaj ka pyetur se sa është numri largimit të ushtarëve nga FSK.

“Sfidat nuk janë të pakta. Gjatë këtij viti kemi pasur një brengë të gjithë anëtarët e komisionit për largimin e pjesëtareve të FSK-së dhe Policisë së Kosovës. E di që në baza mujore përafërsisht 16 janë larguar nga FSK dhe ndër arsyet kryesore ka qenë çështja e pagave”, ka thënë Qalaj.

Qalaj ka thënë se kemi parë koeficientet për ushtarët me ligjin e ri të pagave, derisa ka pyetur ministrin Mehaj se a do të ndikoj kjo në mos largimin e ushtarëve të FSK-së.

Mehaj iu përgjigj duke thënë se “kemi shikuar sesi të rriten më shumë pagat për pjesëtarët dhe më së paku për oficerët më lartë”.

Kurse zyrtarja e FSK-së ka treguar se gjatë këtij viti nga FSK janë larguar 127 ushtarë, pa përfshirë këtu ushtarët që kanë dalë në pensionim.

Anëtari i këtij komisioni nga LDK, deputeti Anton Quni ka thënë se largimi i 127 ushtarëve është alarmues.

“Është numër alarmues largimi i 127 pjesëtareve nga FSK. Nuk dua ta fajësoj ministrinë, por duhet të jetë shqetësim i joni i përbashkët dhe duhet të punojmë së bashku që të identifikojmë arsyet e largimit të tyre”, ka thënë Quni. 

/Telegrafi/

Read Previous

Mbi një mijë ushtarë iu bashkuan FSK-së gjatë këtij viti, Mehaj: Synojmë anëtarësimin në NATO

Read Next

Pamje të mahnitshme nga festa e Argjentinës mbrëmë në Buenos Aires