Kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj, ka njoftuar se në aksionin e sotëm në Pejë, Istog dhe në Klinë janë arrestuar dhjetë zyrtarë të këtyre komunave.
Kurmehaj njoftoi se ata janë drejtorë të urbanizmit si dhe inspektorë që dyshohen për veprën penale “Keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar”.
“Sot me zbatim të urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake kemi shkuar për bastisje në tri komuna: Pejë, Klinë dhe Istog. Me këtë rast janë arrestuar dhjetë zyrtarë, kryesisht drejtorë të Urbanizimit dhe inspektorë, me dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtarë’”, ka thënë ai.
Gazeta Sinjali sot raportoi ekskluzivisht për aksionin e Njësisë së Krimeve Ekonomike dhe Prokurorisë Themelore në Pejë në komunat Pejë, Deçan, Klinë dhe Istog, me qëllim të arrestimit të zyrtarëve të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, lidhur me ndërtimet pa leje.
Sinjali ka mësuar emrat e shtatë prej 10 zyrtarëve, të cilët kanë rënë në prangat e Policisë së Kosovës:
Rajan Arapi – drejtori i Urbanizmit në Pejë,
Florije Berisha – zyrtare ligjore në Drejtorinë e Urbanizmit në Pejë,
Lorenc Marleku – drejtori i Urbanizmit në Klinë,
Ali Gashi – zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit në Klinë,
Ramë Melaj – drejtori i Urbanizmit në Deçan,
Jashar Blakaj – drejtori i Urbanizmit në Istog,
Rexhep Blakaj – shefi i divizionit në Drejtorinë e Urbanizmit në Istog,
Ndërkaq, Sinjali mëson se policia ka rrethuar me shirita edhe zyrën e zyrtarit për projekte në këtë drejtori, Rrustem Gashit, i cili nuk është gjetur aty.
Burimet brenda Prokurorisë së Shtetit kanë bërë të ditur se gjatë këtij aksioni përveç në hapësirat zyrtare, drejtoritë respektive, ka pasur bastisje dhe në disa shtëpi e banesa private të personave të dyshuar, të cilët janë arrestuar ose pritet të arrestohen gjatë ditës.
Fokusi i hetimit të realizuar nga Prokurori i Shtetit ka pasur të bëjë me çështje që lidhen me Drejtorinë e Urbanizimit dhe të Inspektimit, me theks të veçantë papërshtatshmërinë ligjore të disa lejeve të ndërtimit, si dhe dështimin e inspektorëve për të penguar ndërtimet në shkelje të ligjit.
Mirëpo, ky nuk ishte fokusi i vetëm i këtij hetimi, për shkak se tashmë janë dhënë instruksione nga Prokurori i Shtetit edhe për vepra tjera penale dhe persona jashtë institucionit të komunës.
Subjekt i hetimit janë edhe disa operatorë ekonomikë, që operojnë në fushën e ndërtimit, në veçanti nga viti 2018 e këndej.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali