Qëndrimet e Rusisë dhe Serbisë në raport me Kosovën mbeten armiqësore dhe agresive, ka deklaruar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba.
Këto deklarata Zyba i bëri pas mbledhjes së Komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së, ku raportoi me dyer të mbyllura drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti.
Duke folur për ndikimet ruso-serbe në Kosovë, Zyba tha rreziku prej Serbisë është permanent çdo herë, andaj niveli i përgjegjësisë shtetërore duhet të jetë i lartë.
“Dihet qëndrimi i Rusisë dhe Serbisë në raport me shtetin e Kosovës dhe interesat e saj. Nuk diçka të veçantë, mbeten vende armiqësore dhe agresive në secilin prej rasteve të mundshme”, tha Zyba.
Zyba ka bërë të ditur se në mbledhjen e Komisionit është diskutuar edhe për pretendimet për planifikim të atentatit ndaj kryeministrit Albin Kurti, gjatë qëndrimit të tij javë më parë në Shkup të Maqedonisë së Veriut. /KosovaPress/