​Zelensky thirrje SHBA-së dhe BE-së për “veprime konkrete” ndaj Moskës

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, sot bëri thirrje për “veprime konkrete” nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa për të ndalur sulmet ruse.

“Është e rëndësishme që përgjigjja ndaj sulmeve ruse të mos jetë heshtja e botës, por veprime konkrete. Veprimet e Amerikës, e cila ka fuqinë ta detyrojë Rusinë të bëjë paqe. Veprimet e Evropës, e cila nuk ka alternativë tjetër përveçse të jetë e fortë. Veprimet e të tjerëve në botë, të cilët bënë thirrje për diplomaci dhe për t’i dhënë fund luftës, por që u injoruan nga Rusia. Nevojitet presion i fortë për paqe”, shkroi ai në Telegram.

Zelensky njoftoi për sulmet ruse ndaj Ukrainës që kishin ndodhur përgjatë natës.

“Sulmet ruse me raketa dhe dronë ‘Shaheed’ janë më të zhurmshme se përpjekjet e Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve të tjera në botë për ta detyruar Rusinë drejt paqes. Çdo natë, në vend të një armëpushimi, ka pasur sulme masive me ‘Shaheed’, raketa lundruese dhe raketa balistike. Sot ka qenë një nga sulmet më të mëdha ndaj Kievit”, tha ai.

“Edhe Odesa, rajoni i Dnipros dhe ai i Chernihivit kanë qenë në shënjestër. Në total, rusët kanë përdorur 315 dronë në këtë sulm, nga të cilët mbi 250 kanë qenë ‘Shaheed’, si dhe 7 raketa, përfshirë 2 raketa balistike të prodhimit koreanoverior. Janë dëmtuar banesa të zakonshme dhe infrastrukturë urbane, madje edhe një maternitet në Odesa është bërë objektiv rus. 13 persona janë plagosur. Fatkeqësisht, ka edhe viktima. Ngushëllimet e mia familjarëve”, shtoi Zelensky.

Read Previous

Ndahet nga jeta ish-kryeministri Bujar Bukoshi

Read Next

Bllokada në Kuvend, Presidenca ka gati një draft për ta dëguar në Kushtetuese