​Vrasja e policit në Prishtinës, arrestohen 6 zyrtar policor

Një zyrtar policor është arrestuar për vrasjen aksidentale në fshatin Zllatar të Prishtinës, si dhe pesë të tjerë janë arrestuar për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. Ndërkohë, është rekomanduar masa e suspendimit edhe për 9 zyrtarët tjerë policorë që ishin prezent në këtë rast”

Inspektorati Policor i Kosovës njofton se sot pas mesnatës ka pranuar një informacion se ka ndodhur një incident me të shtëna me armë zjarri në fshatin Zllatar të Prishtinës ku ishte plagosur një person.

“Hetuesit e IPK-së menjëherë i janë përgjigjur thirrjes kurse në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitet përkatëse policore si dhe prokurori kujdestar. Personi i plagosur në këtë rast (zyrtar policor) ishte dërguar për trajtim mjekësor dhe pavarësisht përpjekje të mjekëve i njëjti fatkeqësisht ka vdekur si pasojë e lëndimeve. Bazuar në hetimet preliminare fillestare dyshohet se rasti ka ndodhur në një ndejë private ku morën pjesë 15 zyrtarë policorë që të gjithë jashtë detyrës zyrtare. Personi i dyshuar në këtë rast – (zyrtar policor) është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të vrasje kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra. Me dyshimin se kanë kryer veprën penale të “Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga Inspektorati Policor janë arrestuar edhe 5 zyrtarë tjerë policorë (që ishin prezent në ndejë) kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe të njëjtit janë suspenduar. IPK ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit edhe për 9 zyrtarët tjerë policorë që ishin prezent në këtë rast”, thuhet në njoftim.

Hetuesit e IPK-së së bashku me njësitin e forenzikës dhe njësinë rajonale të hetimeve janë akoma duke bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes në vendin ku ka ndodhur incidenti në konsultim edhe me prokurorin kujdestar që është prezent aty.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë incident do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.

Read Previous

Një shkollë në Angli u gjobit 36 mijë euro, dërgoi nxënësit në një shëtitje të rrezikshme malore

Read Next

Hakkerup: Burgu i Gjilanit duhet t’i nënshtrohet një sërë rregullimesh