Prodhuesi i makinave me bazë në Suedi, Volvo Cars, ka njoftuar se do të shkurtojë rreth tre mijë vende pune si pjesë e masave të saj për uljen e kostove, raporton BBC.
Kompania thotë se shkurtimet do të prekin kryesisht pozitat e punonjësve në zyra në Suedi, duke përfaqësuar rreth 15% të fuqisë punëtore të saj të zyrtarëve.
Muajin e kaluar, Volvo Cars, e cila është në pronësi të grupit kinez Geely Holding, shpalli një “plan veprimi” me vlerë 18 miliardë korona suedeze për një ristrukturim të biznesit.
Industria globale e makinave po përballet me disa sfida të mëdha, përfshirë tarifat 25% të vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump për makinat e importuara, kosto më të larta të materialeve dhe shitje më të ngadalta në Evropë.
Drejtori ekzekutiv i Volvo Cars, Hakan Samuelsson, theksoi “periudhën sfiduese” me të cilën po përballet industria si arsye për shkurtimet.
“Veprimet e shpallura sot kanë qenë vendime të vështira, por janë hapa të rëndësishëm ndërsa ndërtojmë një Volvo Cars më të fortë dhe më të qëndrueshme”, tha ai në një deklaratë.
Më herët këtë muaj, kompania tha se shitjet e saj globale për muajin prill ranë me 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Volvo Cars ka selinë kryesore dhe zyrat e zhvillimit në Gothenburg, Suedi. Ajo ka fabrika të mëdha prodhimi në Suedi, Belgjikë, Kinë dhe SHBA.
Kompania u shit nga gjiganti amerikan i industrisë së makinave Ford tek grupi kinez Geely në vitin 2010.
Në vitin 2021, Volvo deklaroi se të gjitha makinat e saj do të bëhen elektrike deri në vitin 2030. Vitin e kaluar ajo e zbuti këtë ambicie për shkak të një sërë problemesh, përfshirë edhe “pasiguritë shtesë të krijuara nga tarifat e reja për makinat elektrike (EV) në tregje të ndryshme”.
Prodhuesi japonez i makinave Nissan njoftoi gjithashtu më herët këtë muaj se do të shkurtojë edhe 11,000 vende pune globalisht dhe do të mbyllë shtatë fabrika si pjesë e ristrukturimit të biznesit përballë shitjeve të dobëta.
Shitjet në rënie në Kinë dhe uljet e mëdha të çmimeve në SHBA, dy tregjet e tij më të mëdha, kanë ndikuar rëndë në fitimet, ndërsa një bashkim i propozuar me Honda dhe Mitsubishi u anulua në shkurt.
Shkurtimet më të fundit e çuan në rreth 20.000 numrin total të vendeve të punës të shkurtuara nga kompania gjatë vitit të kaluar, ose rreth 15% të fuqisë punëtore të saj.
Në një shembull të rivalitetit të ashpër midis prodhuesve të makinave, gjiganti kinez i makinave elektrike BYD njoftoi fundjavën e kaluar se do të ulë çmimet për më shumë se 20 nga modelet e tij.
Kjo e çon çmimin e makinës së tij më të lirë, Seagull EV, në vetëm 7.745 dollarë.
Në përgjigje, prodhuesit kinezë në pronësi të shtetit Changan dhe Leapmotor, e mbështetur nga pronari i Chrysler, Stellantis, shpallën uljet e tyre të çmimeve.
Aksionet e prodhuesve kinezë të makinave ranë ndjeshëm pas këtyre njoftimeve.
Në prill, BYD shiti më shumë makina sesa Tesla e Elon Musk në Evropë për herë të parë, sipas firmës kërkimore të industrisë së makinave Jato Dynamics. /KosovaPress/