Ushtarët ukrainas janë mirëpritur në Kherson nga banorë të ngazëllyer, pasi Rusia tha se ishte tërhequr plotësisht nga qyteti kyç jugor. Videot e publikuara shfaqnin vendasit në rrugë me flamuj ukrainas, duke kënduar këngë patriotike e përshëndetur ushtarët ukrainas.
Kherson ishte i vetmi kryeqytet rajonal i marrë nga Rusia pas pushtimit të shkurtit. Tërheqja është parë si një nga pengesat më të mëdha të luftës.
Moska tha se 30,000 person ishin nxjerrë nga zona – si dhe rreth 5,000 pjesë të pajisjeve ushtarake, armatimit dhe aseteve të tjera.
Shtëpia e Bardhë përshëndeti atë që e quajti një “fitore të jashtëzakonshme”, ndërsa presidenti ukrainas Zelensky e quajti atë një “ditë historike”.
Por ministri i jashtëm i Ukrainës tha se “lufta vazhdon”. Duke folur në Kamboxhia në margjinat e një samiti të vendeve aziatike, Dmytro Kuleba tha: “Ne po i fitojmë betejat në terren. Por lufta vazhdon.”
Një përditësim i mbrëmjes të premten nga pala ukrainase tha se trupat ishin shtyrë deri në bregun perëndimor të lumit Dnipro.
U shfaqën gjithashtu pamje që tregonin se ura Antonivsky ishte shembur pjesërisht. Mbetet e paqartë se si janë shkaktuar dëmet.
Trupat ruse që pushtuan Kherson mendohet se po zënë pozicione të reja në anën lindore të lumit.