​Szunyog : Pjesëmarrja në zgjedhje është një mundësi për të qenë pjesë e vendimmarrjes

Shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, ambasadori Tomash Szunyog ka qëndruar sot në qendrën e votimit “Abdyl Frashëri” në Prizren, për të përcjellë nga afër ecurinë e procesit zgjedhor për kryetar të komunës.

Ai me këtë rast theksoi rëndësinë e zgjedhjeve lokale dhe për kryetar komune.

“Pjesëmarrja në këto zgjedhje është një mundësi për të qenë pjesë e vendimmarrjes që ndikon drejtpërdrejt në jetën e njerëzve”, shkruan Szunyog.

Në 21 komuna votohet sot për postet e kryetarëve, ndërsa 17 të tjera zgjodhën kryetarët e tyre në raundin e parë, që u mbajt më 17 tetor.

Rreth 1 milion e 270 mijë qytetarë mund të votojnë në 1 mijë e 638 vendvotime. Mbi 10 mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtare do të ndjekin procesin e votimeve.

Në raundin e parë, Partia Demokratike e Kosovës, fitoi në katër komuna e pasuar nga LDK dhe AAK që fituan nga dy.

Lista Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës që mbështetet e nga Beogradi fitoi 9 nga dhjetë komunat ku shumicë janë pjesëtarët e këtij komuniteti.

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, nuk fitoi asnjë post për kryetar komune në raundin e parë, por është në balotazh në 12 komuna, përfshirë Prishtinën.

Një ekip vëzhguesish i Bashkimit Evropian, vlerësoi se zgjedhjet e 17 tetorit “ishin të organizuara mirë dhe liritë themelore u respektuan gjatë fushatës”.

/KosovaPress/

Read Previous

​23% e qytetarëve kanë votuar deri në orën 15:00

Read Next

​Balotazhi për Gjakovë, procesi po kalon pa probleme