Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se sot do të mbahet Provimi i Maturës Shtetërore, duke filluar nga ora 10:00.
Në këtë provim do të marrin pjesë 18.800 maturantë nga e gjithë Kosova. Testi do të zhvillohet në një ditë të vetme dhe përfshin katër lëndë: Gjuhë Shqipe, Gjuhë Angleze, Matematikë dhe një lëndë me zgjedhje. Çdo lëndë përmban 25 pyetje, duke e çuar numrin total të pyetjeve në 100.
MAShTI ka bërë të ditur se janë ndërmarrë të gjitha masat për një organizim sa më korrekt dhe të sigurt të provimit. Janë angazhuar trupa mbikëqyrëse, ekspertë të IT-së dhe trupa lëvizëse, të cilët do të monitorojnë procesin nga afër dhe në distancë.
Ministria ka bërë thirrje që të gjithë maturantët të respektojnë rregullat e përcaktuara, duke theksuar se ndalohet rreptësisht mbajtja e telefonave apo pajisjeve të tjera elektronike. Hyrja në qendrat e testimit do të mbyllet në ora 10:00, dhe pas kësaj ore nuk do të lejohet hyrja e asnjë personi të paautorizuar.
MAShTI ka paralajmëruar gjithashtu se çdo shkelje e rregullave do të trajtohet me masa të menjëhershme ligjore, për të garantuar zhvillimin e një procesi të drejtë dhe të besueshëm.
Rezultatet e provimit pritet të publikohen më së largu deri më 30 qershor 2025, ndërsa certifikatat digjitale për të gjithë maturantët që kalojnë provimin do të jenë të disponueshme për shkarkim nga platforma përkatëse. /KosovaPress/