Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme nuk ka arritur për ta ratifikuar marrëveshjen ndërkomtare me Bankën Evropiane për financimin e projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10 për shkaka se nuk ka pasur kuorum.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka arsyetuar këtë projektligj, derisa bëri të ditur se do të financohet 50 përqind grant dhe 50 përqind me kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Evropiane për Investime.
Amendamentimi tha se është më tepër çështje teknike dhe nuk krijon obligime të reja financiare për Kosovën.
“Financohet 50 përqind e grant nga korniza investuese e Ballkanit Perëndimor, kurse 60 përqind tjera me kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Evropiane për Investime, pra që të dyja marrin pjesë proporcionalisht në financimin e gjysmës së projektit. Pas shumë vonesave dhe sfidave duke marrë parasysh se ky projekt është nënshkruar që në vitin 2015, pas shumë vonesave dhe sfidave të hasura në implementim projekti ka filluar të ketë një dinamikë të shtuar të punimeve dhe ka filluar dismbursimet nga granti dhe kredia”, tha ai.
Në sallë ishin të pranishëm 85 deputetë, kurse vetëm 66 prej tyre morrën pjesë në votim.
Lidhur më këtë marrëveshje janë ngritur debate në kuvend mes pozitës dhe opozitës, e që kjo e fundit nuk e ka përkahur votimin e kësaj marrëveshje dhe nuk ka marrë pjesë në votim.
Kjo marrëveshje është projekt i vitit 2015.
Pas dështimit të miratimit të kësaj pike, Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë deri në orën 15:00.
/GazetaSinjali/