Ministrja ​Rizvanolli bën thirrje për kursim të energjisë elektrike

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rzvanolli ka thënë se Evropën po e pret një dimër i vështirë sa i përket energjisë elektrike ku sipas saj ndikim do të ketë edhe në Kosovë.

Ajo ka thënë se Qeveria është duke punuar në ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme, derisa ka bërë thirrje për kursim të energjisë në përballje me krizën energjetike.

Rizvanolli ka thënë se masa në të cilën ndodhet Kosova varet nga ajo sa është në gjendje të prodhojë energji elektrike në mënyrë që të mbulojë kërkesën me energji duke e prodhuar atë.

Ajo ka thënë se KEK-u po i bën të gjitha përpjekjet në mënyrë që ndërhyrjet në blloqet e Kosovës A dhe Kosovës B të përfundojnë para dimrit.

Sipas saj, Kosovën po e pret një dimër i vështirë.

Rizvanolli: Të gjithë duhet të kursejmë energjinë elektrike, na pret një dimër i vështirë

“Kursimi i energjisë elektrike do të jetë kyç gjithashtu, secili prej nesh në institucionet tona, në shtëpitë tona duhet të bëjmë maksimumin. Masat emergjente gjithashtu parashohin edhe detyrime dhe udhëzime për institucionet publike për të kursyer energjinë elektrike, dhe masa specifike mund të merren pastaj sipas nevojës varësisht nga përkeqësimi i situatës”, ka thënë ajo.

Javën që shkoi Kuvendi i Kosovës ka miratuar masat emergjente në furnizim me energji të cilat, sipas Rizvanollit, do t’i dorëzohen Ministrisë së Financave në ditët në vijim për të parë mundësitë e financimit.

Rizvanolli: Lista me masat emergjente në furnizim me energji do t’i dorëzohet MF-së gjatë ditëve në vijim

“Disa prej masave në të cilat veçse kemi punuar janë një grup i masave që ndikojnë në efiçiencë të energjisë dhe ne ngrohje, në mënyrë që qytetarët të jenë në gjendje të minimizojnë konsumin e energjisë elektrike, kjo listë e masave e cila do t’i dorëzohet ministrisë së financave brenda ditëve në vijmë për të parë mundësitë e financimit në çfarë mase do të mund të financohet përfshinë masa që ndikojnë në efiçiencë në ngrohje, subvencionim të pompave termike, subvencionim të stufave me pelet si dhe një vëmendje të veçantë për përfituesit e ndihmës sociale dhe familjeve të tjera të varfra duke subvencionuar specifikisht shtesë për ta”, ka thënë ajo.

Ndërsa ka shtuar se janë duke punuar intensivisht për realizimin e subvencionimit të tarifave të konsumatorëve.

Rizvanolli: Kemi punuar në gjetjen e zgjidhjeve teknike operacionale për të realizuar subvencionimin e energjisë

“Në lidhje me subvencionimin e tarifave të konsumatorëve, Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar që të mbështesë qytetarët nga një rritje e papërballueshme e tarifave. Deri tani kemi qenë duke punuar me disa pauza në gjetjen e zgjidhjeve teknike operacionale për ta realizuar subvencionin, javën e kaluar kemi marrë kërkesën nga ana e ZRrE-së konfirmimin se kalkulimet që janë bërë nga ana e furnizuesit të shërbimit universal janë të sakta dhe kemi marrë kërkesën për pagesë, jemi në konsultim edhe me sekretariatin e komitetit të energjisë dhe USAID-in, të cilët kanë ofruar mbështetje teknike për mënyrën e realizimit të marrëveshjes. Është diçka në të cilën jemi duke punuar intensivisht dhe besojmë që do të ndodh shumë shpejt”, ka thënë Rizvanolli.

Në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, Rizvanolli ka thënë se Kosova i ka bërë të gjitha përpjekjet për realizimin e udhërrëfyesit për energji të dakorduar në Bruksel, por sipas saj ngecjet janë për shkak të palës tjetër, kompanisë Elektroserver.

Rizvanolli: Kosova ka bërë të gjitha përpjekjet për realizmin e marrëveshjes për energjinë

“Sa i përket realizimit të udhërrëfyesit mund të them se Kosova, të gjitha institucionet tona, ne si Qeveri, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, mirëpo edhe KOST-i kanë bërë të gjitha përpjekjet për realizimin e marrëveshjes, ndërsa ngecjet janë kryekëput për shkak të anës tjetër, kompanisë Elektroserver. Sa i përket ndikimit të mundshëm të shtetit të Serbisë, mendojmë që ka shumë mundësi që kjo të jetë duke ndodhur, këtë e kemi bërë të qartë edhe në takimet që i kemi pasur me partnerët ndërkombëtarë në lidhje me këtë çështje. Çfarë është me rëndësi të thuhet është se ne kemi bërë të gjitha përpjekjet në mënyrë që marrëveshja të realizohet sa më shpejtë të jetë e mundur dhe para afatit mandej të paraparë dhe në mënyrë që qytetarët në veri të vendit në katër komunat veriore të fillojnë të paguajnë faturat e energjisë sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë ajo. /KosovaPress/

Read Previous

Ministri Krasniqi: Nuk mund të ketë asociacion një etnik në Kosovë

Read Next

Rama takohet me Erdoganin në Turqi