Në Klinikën e Kardiokirurgjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, për herë të parë janë realizuar operacionet me procedurën e re të zëvendësimit të valvulës aortale, e quajtur perceval.
Në një njoftim në Facebook bëhet e ditur se fjala është për valvula biologjike të kualitetit të lartë, të cilat janë vendosur me procedurën e veçantë, pa pasur nevojë që proteza të fiksohet me penj kirurgjikë.
Proteza biologjike vendoset me ndihmën e stentit të veçantë dhe me një hapje minimale të aortës.
Kjo procedurë e shkurton dyfish kohëzgjatjen e operacionit, siguron kualitet të lartë të valvulës dhe minimizon komplikimet e organeve si pasojë e kohëzgjatjes më të madhe të operacioneve kardiokirurgjike.
Operacionet janë kryer nga kardiokirurgët vendorë, anesteziologë dhe pjesa tjetër e ekipit operator, me asistimin e një profesori nga Greqia. /KosovaPress/