Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës (VIA) pritet të shndërrohet në një tjetër portë të madhe për të gjithë vizitorët që zgjedhin Shqipërinë për ta vizituar e për të pushuar.
Në aeroportin ndërkombëtar të Vlorës, VLO, u krye sot fluturimi i parë certifikues. Sot u certifikua pista e aeroportit dhe punimet do të vijojnë për ta bërë operacional me të gjitha shërbimet gjatë verës.
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës (VIA), një prej investimeve strategjike për turizmin dhe ekonominë shqiptare fluturimi i parë certifikues u prit me interesim në një event të posaçëm, ku ishte i pranishëm Kryeministri dhe kryetari i PS Edi Rama, zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, si dhe punonjës të rinj, pjesë e stafit të aeroportit e të ftuar të shumtë nga Kosova dhe ku më pas mbërriti nga një tjetër fluturim Behgjet Pacolli.
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës (VIA) do të jetë porta e hyrjes në jugun e Shqipërisë. Ky aeroport do të kontribuojë në rritjen e përgjithshme ekonomike të vendit dhe do të transformojë Jugun e Shqipërisë në një hotspot turistik, të aftë për të tërhequr investime të huaja direkte në sajë të një aeroporti të vendosur më pak se 1 orë larg atraksioneve turistike dhe urbane.
Me veprimtarinë e Aeroportit të Vlorës, vendi do të përfitojë nga linjat me kosto të ulët që do të hyjnë në treg, si dhe do të nxisë investitorët për të zhvilluar aeroportin dhe infrastrukturën e turizmit në zonë.
Ky aeroport, po jetësohet në terren për t’u shndërruar në aeroportin kryesor të vendit, i cili do të funksionojë me mbi 3 modele biznesi: aviacion civil, mirëmbajtje e avionëve dhe një kargo e mirëfilltë.
Me një sipërfaqe prej 309 hektarë, pistë 3.2 km dhe me një investim prej 104 milionë euro, porta ajrore e jugut synon t’i japë një tjetër hov zhvillimit të zonës po veçanërisht turizmit në vend.
Ai është projektuar për të akomoduar të gjitha fluturimet kudo në botë dhe ato transoqeanike. /ATSH/