Tre të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjsë të Zveçanit të prangosur e me masa të larta të sigurisë sot u sollën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku edhe u mbajt seanca e shqyrtimit fillestar për këtë rast.
Por, përkundër që Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq të cilët janë në paraburgim nga shtatori i vitit të kaluar, në sallën e gjyqit nuk ishin të pranishëm edhe 42 të akuzuarit tjerë të cilët po ngarkohen për veprat penale sulm terroristë, sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, shpëlarje parash e lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizmit.
E ndonëse nga Prokuroria e Specializuar e Kosovës u propozua që për 42 të akuzuarit që nuk është siguruar prania e tyre të zhvillohet gjykimi në mungesë, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti vendosi që të marr interpretim nga Gjykata Supreme se në rastin në fjalë se a mund të aplikohet gjykimi në mungesë i paraparë në Kodin e Procedurës Penale.
Krahas tre të akuzuarve, në Departamentin Special në Gjykatën Themelore tw Prishtinës ishin të pranishëm edhe policët e lwnduar nga sulmi në Banjskë, por familjarët e rreshterit, Afrim Bunjaku i cili u vra më 24 shtator 2023 në krye të detyrës nuk ishin të pranishëm, por u përfaqësuan nga avokati, Ariant Koci.
Në fillim të seancës, prokurori special, Naim Abazi qysh në nisje të seancës të shqyrtimit fillestar propozoi që gjykimi në mungesë të zhvillohet për 42 të akuzuarit që nuk ishin të pranishëm në sallë.
“Meqenëse tani kemi vetëm 3 persona të pranishëm në këtë shqyrtim gjyqësor, ndërsa të tjerët nuk janë të pranishëm në këtë shqyrtim gjyqësor iu njoftoj se edhe gjatë hetimit nuk ka qenë e mundur që të njëjtit të sigurohen ose të sigurohet prezenca e tyre. Lidhur me këtë ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale, Kodi në fuqi ka paraparë dispozita që i mundësojnë Prokurorisë që aktakuza të ngritët në mungesë të të pandehurve për faktin se në pajtim me nenin 303 është përcaktuar se vepra penale lidhur me nenin 104 të këtij Kodi mund të bëhet gjykimi në mungesë edhe pa u plotësuar kriteret e parapara për praninë e të pandehurve në këtë shqyrtim gjyqësor….10’37 Konsiderojmë që ky gjykim mund të mbahet në mungesë të tyre”, theksoi Abazi.
Ky propozim i Prokurorisë Speciale iu dukë i pamundur Ljubomi Pantovic, mbrojtja e të akuzuarit, Blagoje Spasojevic.
“Konsideroj që gjykimi në mungesë i 42 personave të akuzuar është i pamundur dhe për këtë nuk ekzistojnë supozime personale, nga neni 303 të Kodit të Procedurës Penale”, theksoi ai.
Avokati i familjes së rreshterit, Afrim Bunjaku, Ariant Koci propozoi që të merret mendim nga Gjykata Supreme pwr gjykimin në mungesë.
“Parimisht gjykata duhet të vendos se a do të mbahet gjykimi në mungesë apo jo. Besoj që as ju nuk e keni punën e lehtë për shkak se nuk kemi krijuar praktikë gjyqësore dhe kemi ndryshime në Kod vazhdimisht, sidoqoftë iu ftoj ta shikoni opsionin, marrim mendim prej Gjykatës Supreme për këtë çështje”, propozoi Koci.
Më pas, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti tha se do t’i drejtohen Gjykatës Supreme për opinion për të parë nëse për veprat penale për të cilat ngarkohen 42 të akuzuarit mund të aplikohet gjykimi në mungesë.
“Konsideron se interpretimi gramatikor apo gjuhësor i këtyre dispozitave nuk është i mjaftueshëm dhe krijon paqartësi. Andaj bazuar në nenin 26 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të Ligjit për Gjykatat duke u bazuar në kompetencat e Gjykatës Supreme të Kosovës konkretisht seancës së përgjithshme të Gjykatës Supreme do t’i drejtohet që të marr mendim juridik dhe të bëjë interpretimin sistematik të ligjit me qëllim të zbatimit unik të ligjit dhe të interpreton dispozitën e nenit 303 paragrafi 7 të Kodit të Procedurës Penale lidhur me nenin 107 paragrafi 2, i Kodit Penal të Kosovës në kontekstin më të gjerë të ligjit marr parasysh edhe nenet tjera të ligjit me pyetjen konkrete: A mund të aplikohet dispozita 303 paragrafi 7 i Kodit të Procedurës në lidhje me nenin 104 paragrafi 2 i Kodit Penal të Kosovës pa u plotësuar kriteret nga neni 303 paragrafët 1 deri 6 të Kodit të Procedurës Penale. Vetëm tek vepra penale e vrasjes së rëndë nga neni 173 të këtij Kodi, apo mund të aplikohet edhe tek veprat tjera penale të cilët përmbajnë vrasjen e rëndë së element të veprës penale apo si formë të kualifikuar të formës penale”, theksoi ai.
Pas kësaj, kryesuesi i trupit gjykues me qëllim të mos prolongimit të çështjes ndaj tre të akuzuarve që janë në paraburgim vendosi ta veçoj procedurën penale.
“Veçohet procedura penale bazuar në nenin 35 të Kodit të Procedurës Penale dhe atë për shkaqe të arsyeshme për shkak të mos prolongimit të çështjes ndaj personave që janë në masën e paraburgimit. Andaj, ndaj të pandehurve që janë në këtë masë duhet të procedohet ndaras”, u shpreh Hoti.
Pas këtij vendimi në seancën e shqyrtimit fillestar në rastin për sulmin terrorist në Banjskë, avokatët e të akuzuarve u ankuan se kanë pranuar shkresat e lëndëve vetëm në mënyrë elektronike dhe kërkesë e tyre ishte që Prokuroria Speciale t’ua dorëzoj edhe në mënyrë fizike.
Ndërsa, prokurori special, Naim Abazi konsideroi se me dorëzimin elektronik të shkresave si Prokurori Speciale e Kosovës i kanë përmbushur obligimet që dalin nga Kodi i Procedurës Penale pasi i janë siguruar mbrojtjes provat dhe shkresat e lëndës.
Ai u shpreh bashkëpunues në rast se ndonjë provë nuk hapet.
Derisa në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritej që prokurori i specializuar të nis leximin e aktakuzës, ishte mbrojta e të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë të cilët kërkuan që seanca për shqyrtimin fillestar të shtyhet.
Ljubomir Pantoviq, mbrojtësi i të pandehurit Blagoje Spasojevic tha se meqenëse në më pak se dy ditë kanë pranuar aktakuzën, shkresat e lëndës nuk kanë arritur të përgatiten.
Pantoviq theksoi se as klientit të tij nuk i është dorëzuar aktakuza dhe ai nuk e di se me çka konkretisht e ngarkon aktakuza.
“Konsideroj që këtë seancë përgatitore të sotme duhet ta ndërpresim këtu…Ftesën për seancën e sotme e kam pranuar të hënën pasdite, më pak se dy ditë, të njëjtën ditë më është dorëzuar edhe aktakuza dhe në të njëjtën ditë i kam pranuar edhe shkresat e lëndës, dhe për këto dy ditë jo të plota unë besoj dhe kolegët fizikisht nuk kemi pas mundësi që të njoftohemi me këtë aktakuzë voluminoze e cila i ka 158 faqe, dhe normal me shkresat të cilat tash kemi dëgjuar nga Prokuroria se përbëhen nga mijëra faqe. Posaçërisht për shkak të kësaj që e thash unë nuk kam pas mundësi që në një masë të nevojshme në mënyrë adekuate të konsultohem me klientin tim, posaçërisht në lidhje me pyetjen për deklarimin e pafajësisë…të mbrojturit tim aktakuza akoma nuk i është dorëzuar, ashtu që ai nuk ka pas mundësi që drejtpërdrejt të di se për çka konkretisht akuzohet”, theksoi ai.
Në mungesë të kohës për përgatitje dhe mos pranimi i aktakuzës në gjuhën serbe për të akuzuarit, edhe avokati i Valdimir Toliq, Milos Deleviq dhe mbrojtësja e të akuzuarit, Dusan Maksimoviq, Jovana Filipoviq kërkuan shtyrje të kësaj seance për shqyrtimin fillestar.
Ndërsa, kjo kërkesë nga ana e mbrojtjes për prokurorin special, Naim Abazi ishte e paarsyeshme.
“Nuk ka asnjë rrethanë që do të duhej që kjo seancë të shtyhej për shkak se mbrojtja nuk ka arritur me lexu aktakuzën. Përderisa ne kemi dëshmi se aktakuzën mbrojtja e ka pas në posedim dhe kohë të mjaftueshme dhe në afat të arsyeshme siç e ka përcaktuar Kodi i Procedurës Penale. Prandaj, kërkesa e tyre duhet të jetë e papranueshme”, deklaroi prokurori Abazi.
Pas kërkesës nga ana e palëve mbrojtëse për shtyrje të seancës fillestare dhe përkundër kundërshtimit nga Prokuroria Speciale kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti me qëllim të përgatitjes në mënyrë efikase nga ana e mbrojtjes vendosi që ta shtyjë seancën e shqyrtimit fillestar për 8 tetor 2024 nga ora 09:30.
Në seancën e sotme fillestare për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit i cili ndodhi më 23 shtator 2023 ishin të pranishëm edhe familjarët e të akuzuarve që po mbahen në paraburgim e që janë Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Më 11 shtator 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë.
E dje janë bërë 1 vit nga ky sulm ku i vrarë mbeti rreshteri, Afrim Bunjaku e të plagosur mbetën pjesëtarë tjerë të Policisë së Kosovës. /KosovaPress/