​Qeveria pritet të hartojë Ligjin për çmimet në produktet bazë

Plot njëzet vendime ka marrë Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme. Ekzekutivi përmes ndryshimit të agjendës legjislative, synon hartimin e Projektligjit për mbrojtjen e furnizimit të produkteve themelore. Ndërkohë, ndau 5.5 milionë euro për të vazhduar mbështetjen ndaj stafit shëndetësor, si dhe rreth 200 mijë euro për sigurimin e librave për Luginën e Preshevës.

Kryeministri Albin Kurti, tha se është i nevojshëm hartimi i rregullave që mbrojnë qytetarin nga vendosja e çmimeve të papërballueshme në sigurimin e furnizimit të ushqimit në produktet bazë.

Sipas tij, i njëjti duhet të miratohet në Qeveri më së largu deri në muajin gusht.

Kurti: Duhet të hartojmë rregulla që mbrojnë qytetarin nga vendosja e çmimeve të papërballueshme

“Kësaj radhe po bëjmë përditësimin e agjendës legjislative në mënyrë që të hartojmë rregulla që do të mbrojnë qytetarin nga vendosja e çmimeve të papërballueshme në sigurimin e furnizimit të ushqimit në produktet bazë. Për të adresuar gjendjen në treg është e pashmangshme që Projektligji për mbrojtjen e furnizimit me produktet themelore të hartohet sa më parë, konkretisht deri në fillim të muajit gusht, natyrisht gjatë këtij viti”, tha ai.

Duke prezantuar mbështetjen financiare ndaj stafit shëndetësor, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se ndaj tyre do të ketë shtesa prej 10 përqind mbi pagën bazë, për muajt korrik-dhjetor 2022.

Murati: Vazhdon mbështetja financiare ndaj stafit shëndetësor

“Po vazhdohet mbështetja që ka qenë për stafin shëndetësor në kuadër të masave të marra në luftën kundër pandemisë COVID-19. Mbështetja fillestare ka qenë e paraparë të vazhdojë deri në fund të muajit qershor 2022. Mirëpo me rikthimin e numrave dhe ndryshimin e situatës konsiderojmë se mbështetja duhet të vazhdojë për stafin shëndetësor, 10 për qind mbi pagën bazë. Konsiderojmë të nevojshme të ketë staf të motivuar dhe angazhuar në luftën kundër COVID-19. Në lidhje me këtë parashihen të ndahen mjete në shumën financiare prej 5.5 milionë euro”, tha ai.

Krahas kësaj, ekzekutivi ndau edhe 1.7 milionë euro për grante për zanatin.

Qeveria miratoi edhe programin për diplomaci qytetare, që sipas ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, forcon lidhjet me mërgatën dhe i ofron atyre mundësi angazhimi në MPJD.

Gërvalla: Programi për diplomaci qytetare i ofron mundësi angazhimi mërgatës në MPDJ

“Programi për diplomaci qytetare është një program pilot i MPDJ-së dhe qëllimi është që të ndërlidh profesionistët nga mërgata, duke iu ofruar hapësirë angazhimi në MPJD, si pjesë e një programi 6-mujor”, tha ajo.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme miratoi edhe tri projektligje që prekin sektorin e sigurisë. Kabineti qeveritar i dha dritë të gjelbër Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligjit për FSK-në dhe Projektligjit për Shërbimin në FSK.

Po ashtu mori vendim edhe për shpronësimin e pronave të paluajtshme shoqërore të cilat janë të nevojshme për ndërtimin e rrugës në pikën kufitare në Han të Elezit, që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

Krahas këtyre, Qeveria e emëroi edhe bordin e Ndërmarrjes Publike “KRU Gjakova”, i cili do të udhëhiqet nga Urim Gashi, ndërsa anëtarë të tjerë do të jenë, Arianeta Nura, Vildane Maloku dhe Jeton Haxhijaha.

Paraprakisht në adresimin e tij para fillimit të mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Kurti shprehu urimet për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkim Evropian.

Kurti: Vendimi i djeshëm shton përkushtimin për reforma në rajon

“Dje ishte një ditë shumë e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor dhe rrugëtimin e tij drejt Bashkimin Evropian. Edhe një herë i uroj Republikës së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Ne i gëzohemi kësaj arritje historike të dy vendeve. Ky vendim i Bashkimit Evropian na shton përkushtimin për reforma që transferojnë rajonin tonë dhe rrjedhimisht edhe Evropën”, tha ai. /KosovaPress/

Read Previous

Janë mbajtur garat e kërcimeve në Ujvarën e Mirushës

Read Next

Beyer: Për të hyrë në BE, Kosova dhe Serbia duhet ta njohin njëra-tjetrën