​Qeveria, pas një viti planifikon padinë kundër Serbisë për gjenocid

Qeveria e Republikës së Kosovës po planifikon që në fund të vitit 2022 të ngrit padi kundër Serbisë për gjenocidin e kryer në Kosovë gjatë luftës së fundit. Qeveria aktualisht po analizon punën e grupeve punuese të qeverive të mëhershme lidhur me mundësitë juridike për ngritje e kësaj padie kundër Serbisë.

Por ekspertët juridik druajnë se Kosova mund të fitojë këtë betejë kundër shtetit serb, meqenëse Kosova aktualisht nuk është as pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Madje mendohet se ndoshta Kosova do ishte më e udhës që padinë për gjenocidin serb, ta ngrit në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Rozafa Kelmendi për KosovaPress, ka deklaruar se meqenëse ky proces është i komplikuar, kërkohet kohë deri te momenti për të ngritur padinë. Ajo thotë se po planifikojnë që këtë ta bëjnë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, në fund të vitit të ardhshëm.

Prioritet para padisë kundër Serbisë, Kelmendi thotë se ekzekutiv ka krijimin e Institutit për Krime të Luftës, i cili ishte shuar gjatë qeverisjes së Ramush Haradinaj.

Kosova duhet të punojë gjatë në mbledhjen eprovave për të dëshmuar se forcat serbe kanë kryer gjenocid në Kosovë, po thonë edhe njohësit juridik.

Profesori i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu thotë për KosovaPress, se për t’u përgatitur mirë padia kundër gjenocidit serb, qeveria duhet të krijojë një grup punues që do punojë rreth 1 vit me qëllim që të mblidhen provat dhe faktet që argumentojnë krimin e kryer ndaj popullatës së Kosovës.

Ai thotë se kjo do punë, pasi deri më tani Kosova ka bërë shumë pak në mbledhjen dhe argumentimin e provave për krimet e kryera nga regjimi serb.

Republika e Kosovës nuk është pjesë as e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe as e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, prandaj profesori Salihu vlerëson se në aspektin juridik penal më e udhës është që Kosova këtë padi ndaj shtetit serb, ta paraqes në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) Ehat Miftaraj shprehet skeptik që Kosova mund të adresojë padi në GJND, kundër Serbisë derisa si shtet nuk plotëson aspektin formal për një padi të tillë.

Ai nuk sheh mundësi që vendi në një të ardhme të afërt të paditë Serbinë për gjenocidin e kryer në Kosovë.

Miftaraj kritikon udhëheqësit e deritanishme që për këto 20 vite nuk kanë punuar për të dokumentuar në mënyrë sistematike krimet e kryera në Kosovë.

Sipas tij, duhet bërë një strategji dhe koordinim me ekspert juridik vendor dhe të huaj për të parë se cilat janë gjasat që Kosova ta fitojë një padi të tillë.

Në ekspozenë e tij, kryeministri i Kosovë, Albin Kurti, me rastin e marrjes së besimit nga Kuvendit i Kosovës për formimin e qeverisë, më 22 mars, ka deklaruar se gjatë mandatit të tij qeverisës, synon që të realizohet ngritja e padisë ndaj krimit të gjenocidit serb në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

E padi kundër gjenocidit serb disa herë kishte përmendur edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, por ai asnjëherë nuk e kishte specifikuar se pranë cilës gjykatë do të ngritej ajo.

Karshi padisë së paralajmëruar, gjatë kësaj jave ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e ka quajtur kërcënim paralajmërimin e Qeverisë së Kosovës për ngritje të padisë për gjenocid në luftën e fundit në Kosovë.

Vuçiq ka thënë se Kosova nuk mund ta bëjë këtë, pasi nuk është shtet anëtar i OKB-së. Sipas tij, këtë mund ta bëjë vetëm një shtet tjera, Shqipëria./KosovaPress

Read Previous

Mungesa e gjumit iu shëndosh më shumë se ushqimet

Read Next

Familja Haliti dyshon se 3 anëtarët e saj nuk kanë vdekur për shkak të helmimit nga kërpudhat