Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar kundërshtimin administrativ në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ndaj vendimit këtij institucioni për daljen në treg të hapur të 1300 bizneseve nga data një qershor. Kjo parti ka paralajmëruar se nëse ZRRE-ja, nuk e ndryshon vendimin dhe pas pesëmbëdhjetë ditëve siç e parasheh ligji, atëherë të njëjtit do të ankimojnë në Gjykatën Themelore, ku do të kërkojnë vendosjen e një mase të përkohshme deri në vendimmarrjen e plotë.
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, në një konferencë për medie të premten, u shpreh i bindur se këtë betejë ligjore me ZRRE-në, do ta fitojnë dhe se vendimi që është goditje ndaj ekonomisë së vendit, do të anulohet, raporton KosovaPress.
Përkitazi me këtë, ai bëri të ditur se njëra nga kompanitë që ka aplikuar për licencim për shitblerje të energjisë është MDA, kompani e themeluar nga shefi i stafit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Luan Dalipi. Sipas tij, një gjë e tillë është krim dhe korrupsion i qartë.
“Kemi nisur betejën ligjore për anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, i cili nxjerri në mënyrë të kundërligjshme në treg të hapur rreth 1300 biznese. Kjo betejë po bëhet pikërisht për të kundërshtuar një vendim të paligjshëm që rrezikon rreth 140 mijë qytetarë të Kosovës që t’i humbin vendet e punës….Kemi dërguar kundërshtimin tonë administrativ në kuadër të ZRRE-së. Ne po ashtu jemi të bindur se qëndrimet e tyre do të jenë të njëjta me vendimin, pasi pavarësisht kundërshtimeve që kanë pasur ata nuk e kanë ndërruar vendimin dhe i qëndrojnë prapa atij. Ne duhet t’i ndjekim hapat ligjor ashtu siç thotë ligji. Ne do të presim 15-ditë për një njoftim nga ZRRE-ja për të anuluar këtë vendim. Nëse brenda 15 ditëve ata nuk e anulojnë vendimin ne në ditën e 16-të do të procedojmë në departamentin administrativ në (Gjykatën Themelore) si kundërshtim administrativ ndaj këtij njoftimi, pasi ky as vendim nuk është. Për t’i ikur një ballafaqimi në një betejë ligjore, ata nuk kanë nxjerr vendim. Përmes një njoftimi e kanë obliguar KESCO që këto kompani t’i vendosë në tregun e hapur. Do t’i ndërmarrim të gjitha afatet ligjore që brenda një afati sa më të shpejtë që ndaj këtij vendimi të vihet një masë e përkohshme që do të pezullojë implementimin e këtij vendimi”, tha ai.
I pyetur se cila është zgjidhja duke ditur se Ligji për energjinë është miratuar në vitin 2016, ku parashihet dalja në treg të hapur të këtyre kompanive, ai tha se nuk janë kundër liberalizimit të tregut, mirëpo fillimisht duhet të krijohen kushtet dhe të kenë më shumë ofertues për energji.
“Liberalizimi i tregut të energjisë është një kërkesë edhe vet BE-së dhe ajo duhet me ndodh. Mirëpo duhet të krijohen kushtet pasi kur flasim për liberalizim të tregut flasim për më shumë ofertues dhe jo vetëm një. Aty bizneseve do t’i mundësohet të kenë çmim më të lirë, jo më të shtrenjtë dhe monopol. Liberalizimi i tregut do të thotë të largohemi nga monopoli dhe të kemi një liberalizim të vërtet të tregut”, shtoi ai.
Në anën tjetër, sipas Tahirit, njëra nga kompanitë që ka aplikuar për licencim për shitblerje të energjisë është MDA, kompani e themeluar nga shefi i stafit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Luan Dalipi.
Sipas tij, niveli i krimit në sektorin e energjisë ka shkuar aq lartë sa nuk e di nëse mund ta quaj më korrupsion një gjë të tillë.
“Luan Dalipi është themelues dhe njëkohësisht ka qenë pronar i kësaj kompanie. Pra, MDA e shefit të stafit të kryeministrit, që sot drejtohet nga Driton Dalipi, ka aplikuar për licencë për furnizim me energji elektrike në vendin tonë. Në njërën anë, kryeministri e dërgon vëllain në Departamentin për Shitblerje të Energjisë Elektrike në KEK dhe në anën tjetër shefi i stafit të kryeministrit kërkon licencë që këtyre kompanive që i kanë qitë në treg të lirë t’iu shesë energji elektrike. Për besë kjo është e tmerrshme dhe këtë nuk e di a mundemi ta quajmë më korrupsion. Niveli i këtij krimi ka shkuar aq lartë sa po e rrezikon mirëqenien e qytetarëve tonë dhe është bërë e frikshme me jetu në këtë vend” ”, shtoi Tahiri.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka marrë vendim se që nga data një qershor mbi 1300 biznese të kalojnë në treg të hapur të energjisë elektrike.
Të enjten, bizneset protestuan me bllokimin e disa hyrjeve në Prishtinë kundër vendimit për kalimin e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike, pasi kjo i dëmton bizneset./kp