​Osmani: Do të sigurohemi që gratë jo vetëm të jenë të përfshira në dialog, por edhe të konsultohen vazhdimisht

Në dialogun Kosovë-Serbi është e domosdoshme që të ketë përfshirje më të madhe të grave. Kështu u tha në lansimin e raportit “Një ulëse në tryezë”. Kontributi i grave në proceset e ndërtimit të paqes në Kosovë dhe pritjet e tyre nga këto procese”, raport i realizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës dhe UN Women.

Në lansimin e këtij raporti, një adresim përmes një videomincizimi ka folur edhe presidentja e vendit Vjosa Osmani. Ajo tha se kontributi i grave në proceset vendimtare të ndërtimit të shtetit është i jashtëzakonshëm dhe se roli i tyre nuk mundet kurrsesi të mohohet. Ajo tha se gratë dhe vajzat ishin aty kur luftohej për liri, kur është vulosur pavarësia dhe se janë pjesë e rrugëtimit të shtetndërtimit, por që tha se shpesh herë ato nuk janë dëgjuar sa duhet në procesin e ndërtimit të paqes.

Osmani tha se një prej proceseve më vendimtare që ka kontribuar në këtë drejtim siç është dialogu Kosovë-Serbi nuk i ka para gratë aty sa duhet. Arsyet tha se janë të shumta, por që tha se padyshim që aspekti kulturor dhe dominimi patriarkalizmit në shoqëri kanë ndikim të madh duke reflektuar edhe në politikëbërje.

E para e shtetit tha se pjesëmarrja e grave në këtë proces gjerë më tani ka qenë tejet i vakët, por që tha se një gjë e tillë do të ndryshojë. Ajo tha se përveç që do të sigurohen që të jenë të përfshira gratë, të njëjtat do të konsultohen vazhdimisht.

Presidentja Osmani tha se nuk do të ketë dialog të suksesshëm derisa aty të mos dëgjohet zëri i nënave të personave të zhdukur, i nënave të fëmijëve të vrarë dhe i grave që janë të mbijetuara të dhunës seksuale.

Ajo tha se artikulimin e kërkesave të grave dhe vajzave mund ta bëjnë më së miri vet ato.

Osmani tha se fatmirësisht prezenca e grave në institucionet e Kosovës tani është më e mirë se kurrë, por që tha se tani është koha që të shkojnë përtej numrave në vepra të mira. Në këtë drejtim, ajo u zotua se do të punojë me të gjitha organizatat për të garantuar që zëri i grave të jetë i dëgjuar.

Drejtoresha ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rogova, tha se përmes këtij raporti kanë dashur të dokumentojnë rolin që kanë pasur organizatat e grave në proceset e ndërtimit të paqes.

Ajo tha se natyrisht që kërkojë në shumë se një ulëse, por që tha se një ulëse duhet për fillim që pastaj ai duhet të dyfishohet e trefishohet.

Përfshirja e grave në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ajo tha se është shumë e rëndësishme.

Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, Ulrika Richardson, tha se ri vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi duhet të përfshije më shumë gratë.

Raporti “Një ulëse në tryezë: Kontributi i grave në proceset e ndërtimit të paqes në Kosovë dhe pritjet e tyre nga këto procese”, shqyrton rolet, kontributet dhe nevojat e grave, veçanërisht vajzave, në lidhje me paqen dhe proceset e sigurisë në Kosovë që nga viti 1989. Vëmendje e veçantë i kushtohet rolit të organizatave për të drejtat e grave në proceset e ndërtimit të paqes. Gjithashtu, ky raport përmban rekomandime për avancimin e paqes dhe sigurisë në Kosovë, posaçërisht në kontekstin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndër rekomandimet që janë prezantuar në këtë raport janë që të sigurohet pjesëmarrje barabartë e grave në procese të paqes, në përputhje me ligjin, të rritet përfaqësimi i grave në të gjitha pozitat e emëruara dhe të përzgjedhura të vendimmarrjes, në nivelin qendror dhe lokal, të organizohen takime me vajza të grupeve të ndryshme etnike në mënyrë që të nevojat e tyre të identifikohen dhe të adresohen dhe fokusi i qeverisë të përqendrohet në siguri njerëzore, duke investuar më shumë në edukim kualitativ, shëndetësi, fuqizim ekonomik të grave dhe siguri të grave në shtëpitë e tyre, në rrugë dhe institucione./KosovaPress

Read Previous

Presidentja Vjosa Osmani priti në takim koordinues për çështje të mbrojtjes Ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe Komandantin e FSK Rrahman Rama

Read Next

Policia gjen një mjet shpërthyes në Fushë Kosovë