Në një vendim historik, Shtetet Anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) miratuan sot me konsensus Marrëveshjen e parë globale për Pandemitë, gjatë Asamblesë së 78-të Botërore të Shëndetësisë.
Organizata e bëri të ditur në faqen e tyre zyrtare se kjo marrëveshje është rezultat i më shumë se tre viteve negociatash, të nisura si përgjigje ndaj ndikimeve të mëdha të pandemisë COVID-19.
“Marrëveshja për Pandemitë është një fitore për shëndetin publik, shkencën dhe bashkëpunimin ndërkombëtar”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus. “Ajo synon të bëjë botën më të sigurt dhe më të barabartë në përballje me pandemitë e ardhshme”.
Marrëveshja përcakton parimet dhe mjetet për bashkëpunim ndërkombëtar në parandalimin, përgatitjen dhe reagimin ndaj pandemive – përfshirë qasjen e barabartë dhe të shpejtë në vaksina, terapi dhe diagnostikime.
Presidenti i Asamblesë, Teodoro Herbosa, theksoi se tani që marrëveshja është miratuar, është thelbësore zbatimi i saj, sidomos për të siguruar qasje të drejtë në produktet shëndetësore për të gjitha vendet.
Marrëveshja garanton se OBSH nuk do të ketë autoritet për të imponuar masa në nivel kombëtar, si ndalime udhëtimesh, detyrim vaksinimi apo mbyllje.
Në fazën e ardhshme, do të zhvillohet një sistem për Shkëmbimin e Patogjenëve dhe Përfitimeve (PABS), si dhe do të krijohen mekanizma për financim dhe rrjet logjistik për të siguruar shpërndarje të drejtë të produkteve shëndetësore gjatë emergjencave.
Marrëveshja do të hyjë në fuqi pasi të ratifikohet nga 60 shtete.
Ky është akti i dytë ligjor ndërkombëtar i OBSH-së sipas Kushtetutës së saj, pas Konventës për Kontrollin e Duhanit, e cila u miratua në vitin 2003 dhe hyri në fuqi në vitin 2005. /KosovaPress/