​LDK lëshoi sallën e Kuvendit, Gashit i ndërpritet fjala

Shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka kritikuar kryesuesen e seancës plenare për, siç tha ai, veprim në kundërshtim me rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës duke u dhënë më pak hapësirë për diskutim deputetëve.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci e cila po e udhëheq seancën, derisa i dha fjalën Gashit tha se i njëjti mund të flas vetëm lidhur me çështjet e ngritura nga ministrat.

Bogujevci-Gashit: Po ta jap fjalën nëse i referoheni çështjeve të ngritura nga ministrat

“Zotëri Gashi fjalën po ta jap vetëm nëse i referoheni çështjeve të ngritura nga ministrat, përndryshe në relacion me atë që të këshillova më herët të ndërpritet fjala, ta dish paraprakisht”, tha ajo.

Sipas Gashit, ministrat po lejohen të flasin nga dhjetë minuta derisa për deputetët po ofrohen vetëm dy minuta kohë.

Gashi: Modeli i ndërtuar i kërcënimit të deputetëve nuk funksionon me mua

“Ky model i ndërtuar i kërcënimit të deputetëve nuk funksionon, nuk funksionon e aq më pak me mua. E nderuara kryesuese, ta keni parasysh që ky kuvend është kuvend i deputetëve, këtu flasin deputetët dhe ftohet edhe qeveria me fol. Pra, deputetët në rastin minimal duhet të jenë të barabartë në kohën që e shpenzojnë dhe ju çka po bëni po i leni ministrat me folë dhjetë minuta, deputetët po i leni me folë dy minuta që është në kundërshtim me rregulloren e punës së kuvendit të republikës së Kosovës”, tha Gashi.

Gashit i është ndërprerë fjala për çka pastaj të gjithë deputetët e LDK-së kanë dalur nga salla ku po mbahet seanca plenare.

Bogujevci: Jam e vetëdijshme për të drejtat e secilit deputet

“Zotëri Gashi a doni t’i referoheni diskutimeve apo e ndërpremë muhabetin këtu. Jam shumë e vetëdijshme për të drejtat e tua dhe të secilit, ju lutem regjia ndërpritjani fjalën”, tha Bogujevci./KosovaPress/

Read Previous

Shenjat që tregojnë se mund të jeni në një marrëdhënie toksike

Read Next

Tentim për përleshje mes deputetëve në Kuvend