Sezoni i Superligës së Kosovës në futboll 2024/25 ka sjellë ndryshime dhe surpriza të shumta. Drita konfirmoi dominimin e saj duke fituar titullin kampion, ndërsa Ballkani, një nga rivalët kryesorë, nuk e gjeti veten si duhet për shkak të largimeve dhe problemeve menaxheriale.
Analistët e futbollit vendor konsiderojnë se ky edicion solli disa befasi sa i përket renditjes në tabelë edhe pse disa prej tyre ishin të pakëndshme.
Lulzim Shala thotë për KosovaPress se Drita nga Gjilani u shpall me meritë kampion, por shton se befasi e pakëndshme ishte Prishtina.
“…Shumë ekspertë para fillimit të edicionit dy mijë e njëzet e katër dy mijë e njëzet e pesë e kanë parashikuar që Drita do të jetë kampione, dhe kështu doli. Ballkani nuk arriti ta bëjë hapin e vet, pasi pati largime të shumë futbollistëve dhe kjo ndikoi në cilësinë e klubit dhe ka qenë e pritshme që Drita do ta mbizotërojë Superligën dhe kjo ndodhi…Befasi më e këndshme ndoshta e këtij kampionati mund të jetë Ferizaj që ka qenë befasi shumë e këndshme, sepse shumëkush e ka pritur se do të luftojë për mbijetesë, por ndodhi e kundërta. Ferizaj për pak nuk doli në Evropë dhe kjo për shumë shkaqe të rrethanave të ndryshme, pastaj befasi e pakëndshme mund të themi që prapë është Prishtina”, thotë Shala.
Analisti Alban Lumi konsideron se rënia e cilësisë në lojë e klubit Ballkani këtë sezon ishte e pritshme, por shprehet i bindur se skuadra nga Suhareka do të rikthehet dhe të luftojë për ta rikthyer titullin menjëherë sezonin e ardhshëm.
“Sigurisht se kampionati ka shkuar domethënë duke udhëhequr nga Drita që nga javët e para, duke e parë që janë stabilizuar këtë radhë edhe me trajnerin Ramadani dhe po besoj lojtarët e pjekur dhe e kanë njohur njëri-tjetrin që kryesisht qe disa vite duke luajtur së bashku, ia kanë arritur me plot meritë që të shpallen kampion apo ta rikthejnë titullin në Gjilan, të katërtin në historinë e tyre. Ndërkaq, Ballkani pati oscilime te shtabi profesional, pamë largimin e Ilir Dajës pas javës së gjashtë dhe pastaj besoj që ka qenë gabim i menaxhmentit, angazhimi i Pollozhanit pasi që një ndihmës e ka problem ta merr ta drejtojë menjëherë një skuadër pretendues për titull…Nuk besoj që Drita apo ndonjë skuadër tjetër do ta ketë lehtë edhe vitin tjetër, por Ballkani do të jetë njëra ndër ato skuadra që do të pretendon titullin”, tha Lumi.
Lumi flet edhe për krizën që e kaploi skuadrën e Suharekës e cila u largua nga Superliga, edhe pse sezonin e kishte nisur me ambicie për t’u kualifikuar në garat evropiane.
“Nuk kemi parë që Suhareka ka pasur probleme financiare, por harmonia ndoshta edhe tek ekipi, për shkak edhe ndryshimit të trajnerëve, pamë tre trajnerë që i ndryshoi gjatë kësaj kohe, edhe kjo ka ndikuar që forma e Suharekës të mos jetë stabile. Përkundër faktit që filloi mirë, megjithatë domethënë mesi i kampionatit ishte për ta katastrofal. Në fund u mundua të zgjohet dhe deri në minutat e fundit shpresoi për mbijetesë megjithatë edhe nuk ia doli, por të shohim se në vitet e ardhshme si do të mbijetojë Suhareka”, tha Lumi.
Nga ana tjetër, trajneri Robert Gjeraj, edicionin 2024/05 e cilëson më të dobët krahasuar më atë paraprak.
“…Kualiteti me vitet e kaluara ka rënë pak, për arsye se dihet edhe Ballkani është dobësuar këtë vit për arsye se ka shitur njëmbëdhjetë lojtarë dhe është një gjë normale një rënie e Ballkanit. Drita mendoj që është shpall kampion me meritë, por kjo është më shumë meritë e Dritës për shkak se kundërshtarët nuk i ka pasur në nivelin e duhur qysh kanë mbajtur shpresë Llapi, Gjilani, që e ka shpallur kandidaturën për titull edhe nuk ia kanë arritur qëllimit. Ndoshta edhe pak për meritën e tyre Drita është shpall kampion, por gjithsesi është shpallur me meritë dhe e ka merituar titullin e kampionit, mirëpo unë shpresoj që tash kur të dalin në gara evropiane do të kenë paraqitje të mira dhe të na bëjnë krenarë sikurse Ballkani viteve të kaluara”, tha Gjeraj.
Kujtojmë, Kosovën në edicionin e ri të garave evropiane do ta përfaqësojnë Drita, Ballkani dhe Malisheva, skuadra këto që kanë mbyllur sezonin në tri pozitat e para të renditjes tabelare. /KosovaPress/