​Kurti e Haradinaj debatojnë për krizën energjetike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kruti dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kanë debatuar rreth situatës me energjinë elektrike në vend. Haradinaj ka kërkuar përgjigje nga Kurti nëse Qeveria ka një strategji për t’u përballur me një krizë të mundshme energjetike. Kryeministri Kurti ka thënë se Kosova nuk është e varur në prodhimin e energjisë elektrike dhe se do të vazhdojë të implementojë strategjinë kombëtare që siç ka thënë ai është në përfundim e sipër.

Kurti i ka thënë Haradinajt që para se të arrijë në përfundim për gjendjen energjetike në Evropë, të mos bazohet në titujt e lajmeve pro t’i lexojë ato në tërësi.

Kurti: Kosova nuk është e varur në prodhimin e energjisë elektrike

“Kosova nuk është e varur e nuk do të jetë e varur në prodhimin e energjisë elektrike, Kosova do të vazhdojë të implementojë strategjinë kombëtare që është në përfundim e sipër e që parasheh stabilitet përmes diversifikimit. Pos kësaj, Gjermania e ka edhe një arsye shtesë për rihapjen e termocentraleve me thëngjill ngase në fund të vitit të vitit 2021 me 9.5 gigavat kapacitete gjeneruese të energjisë bërthamore i ka mbyllur tre reaktorë që gjeneronin 4.5 gigavat energji elektrike”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se Ministria e Ekonomisë ka ndërmarrë të gjithë hapat për planifikim dhe ndërhyrje në rastet emergjente.

Kurti: Ministria e Ekonomisë është duke përgatitur edhe një masë për efiçiencë të energjisë për konsumatorët shtëpiakë

“Ministria e Ekonomisë ka ndërmarrë të gjithë hapat për planifikim dhe ndërhyrje në rastet emergjente. Gjatë këtyre muajve, ministria është duke përgatitur edhe një masë për efiçiencë të energjisë për konsumatorët shtëpiakë. Përmes subvencioneve do të ndihmohen konsumatorët që të ulin shpenzimet e energjisë elektrike. Ndihma më e madhe do të koncentrohet të rastet e skemës sociale, dhe te rastet të cilat janë në nevojë mirëpo nuk janë të përfshira në skemë sociale. Me këtë ndërhyrje në eficiencë synojmë që konsumatorët të ulin shpenzimet e gjithashtu ta kursejnë xhepin e tyre. Në këtë kohë janë duke u bërë përgatitjet që të zgjerohet rrjeti i konsumatorëve vet gjenerues përmes paneleve solare që do të ndikojë direkt në uljen e shfrytëzimit të energjisë nga rrjeti”, ka thënë Kurti.

Ndërsa deputeti Haradinaj ka kërkuar përgjigje konkrete nëse Kosova ka marrëveshje me Shqipërinë në rast të një krizë me energjinë elektrike.

Haradinaj-Kurtit: A keni marrëveshje me Shqipërinë për përballimin e krizës energjetike

“A ta bëjë një pyetje të sinqertë, a i ke rënë pishman që e ke penguar investimin në Kosovën e Re 500mgv, a e kishe pranuar sot atë investim, ti e Haki Abazi yt e krejt ju që jeni këtu dhe çka kishit thënë sot për atë investim, po shihet që e keni mizën ndër kapuç dhe po shihet që po i bini rrotull kësaj pune. Ju po thoni keni investime në gjenerim me Shqipërinë, unë e kam një problem më afatshkurtër, a keni marrëveshje dhe sa na siguron ajo marrëveshje në këtë dimër që nëse kanë tepricë ata mos me lëshu në treg ndërkombëtar por me marrë ne të parët”, ka thënë Haradinaj.

Sipas Kurtit, me Shqipërinë ekziston dakordim edhe për këmbim.

Kurti: Me Shqipërinë kemi dakordim edhe për këmbim, KEK dhe KESh janë në kontakt të përditshëm

“Ne kemi dakordim midis Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë edhe për këmbim, dhe tashmë jemi duke e funksionalizuar këtë dhe drejtori i KEK-ut dhe KESh-it janë në kontakt të përditshëm. Pra, jemi duke punuar për ta shfrytëzuar maksimalisht interkoneksionin ekzistues. Sa i përket gazsjellësit, ai nuk do të kishte fare të bëhet me këtë dimër. Shumë e shumë vjet do të kalonin për atë gazsjellës, mirëpo ne i kemi në remond njësitë e caktuara dhe po e bëjmë maksimumin me gjendjen dhe mekanizmat që i kemi trashëguar. Sa i përket Countur Global, unë edhe më tej mbaj të njëjtin qëndrim se ka qenë një kontratë e pafavorshme me Kosovën”, ka thënë Kurti. /KosovaPress/

Read Previous

Pse zviceranët i mbajnë në shtëpi të gjitha kursimet

Read Next

IKD: Sistemi i drejtësisë ende pa rezultate në luftën kundër korrupsionit