Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se do të hyjë në koalicionin e ardhshëm qeveritar vetëm me Albin Kurtin kryeministër. Krasniqi, i cili pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit ka fituar një ulëse në Kuvendin e Kosovës tha se vullneti i komuniteteve jo serbe që janë pjesë e qeverisë Kurti II është që të vazhdohet partneriteti edhe për një mandat tjetër.
Krasniqi, i cili është lider i partisë IRDK nga komuniteti egjiptian tha se kushtëzimet e komuniteteve të tjera jo shumicë në formimin e qeverisë së ardhshme nuk janë të dobishme.
“Po, në bashkëpunim me kryeministrin Kurti do të jem pjesë e koalicionit të ardhshëm qeveritar. Dhe tashmë është shumë mirë i definuar ky partneritet i joni që fillon nga viti 2019, kur kam qenë pjesë e grupit parlamentar të VV-së. Kështu që, gjithçka është parimore dhe është e bazuar në këtë mirëbesimin e krijuar në këto katër vite si ministër. Kështu që s’ka asnjë dyshim që do të jem pjesë e koalicionit të ardhshëm qeveritar dhe do të jem vetëm pjesë e një koalicioni ku kryeministër është Albin Kurti… Unë mund të flas vetëm për vetën por nga diskutimet që i kam edhe me kolegët të tjerë në qeveri partnerë të kësaj qeverie Kurti II, vullneti i tyre është që të jenë pjesë e qeverisë Kurti III, e cila do të jetë në ardhje shumë shpejtë”, tha ai.
Sipas tij, politika e kushtëzimeve nuk funksionon, pasi partneriteti duhet të zhvillohet në besimin e ndërsjellët.
“Nuk besoj se qasja e kushtëzimit është qasja e duhur për partneritet dhe bashkëpunim. Ne kemi pas një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me kryeministrin Kurti për katër vjet. Unë duhet të ritheksoj se kjo qeveri është e para e cila ka pas fokusin te komunitetet, sidomos te ato që kanë qenë të harruara për shumë vite. Qasja e kushtëzimeve nuk është qasja që e preferojë në politikë. Besoj se të gjitha komunitetet në Kosovë kanë përfituar nga politikat e kësaj qeverie. Të gjithë kolegët e mi nga komunitetet pakicë në Kosovë që kanë fituar një ulëse në Kuvend të Kosovës janë të bindur se politika e kushtëzimeve nuk funksionon dhe partneriteti zhvillohet në besimin e ndërsjellët”, theksoi Krasniqi, në konferencën për medie të mërkurën pas mbledhjes së qeverisë. /KosovaPress/