​Kosova prioritet hetimin e krimeve të luftës, por ka vetëm katër prokurorë specialë

Që nga viti 2014, kur iu bartën kompetencat Kosovës për trajtimin e krimeve të luftës dhe deri në vitin 2018, Kosova ka pasur vetëm një prokuror për krime lufte. Ndërkohë që hiç më mirë nuk është gjendja edhe tani.

Kryetari i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj thotë se kapacitetet e Prokurorisë Speciale në departamentin për Krime Lufte, nuk janë të mjaftueshme. Sipas tij, me vetëm katër prokurorë specialë vështirë se do të hetohen krimet.

Marrë parasysh numrin e madh të krimeve, Blakaj për KosovaPress, thotë se nuk është e thjesht që të ndiqen agresorët. Sipas tij, nuk mjafton vetëm gjykimi në mungesë të realizohet e drejta e viktimave.

Ngjashëm mendon edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, i cili thotë për KosovaPress, se me numër kaq të vogël të prokurorëve, Kosova nuk tregon se ka për qëllim hetimin e krimeve të luftës.

Sipas Miftarajt, vetëm në arkivin që ka Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka dokumentim, raporte dhe informata të jashtëzakonshme që dëshmojnë krimet e luftës.

Në lidhje me këtë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se adresimi i krimeve të luftës është prioritet i qeverisë. Edhe ajo vet e ka pranuar se me këtë numër të prokurorëve është e pamundur që të adresohen ato.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti ngrit shqetësimin se shumë viktima po vdesin, e bashkë me ata po varrosen edhe dëshmitë. Ajo thotë se Kosova është vonuar sa i përket strategjisë për ndëshkimin e krimeve të luftës.

Ajo tregon se sa është numri i lëndëve që po hetohen në Prokurorinë Speciale të viktimave të dhunës seksuale.

KosovaPress ka provuar të marrë përgjigje nga prokurorja speciale, Drita Hajdari në lidhje me aktakuzat për krime lufte, por e njëjta nuk është përgjigjur.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur deri në qershor të vitit 2020, aktakuza për krime lufte kundër 39 personave.

Prej tetorit të vitit 1999 deri në qershor 2020, janë dënuar nga gjyqtarë të UNMIK-ut, EULEX-it dhe ata vendorë, me aktgjykime të formës së prerë gjithsej 40 persona. Prej tyre 35 janë shqiptarë dhe katër serbë.

Ndryshe, Kroacia dhe Bosnjë-Hercegovina kanë miratuar strategji shtetërore për trajtimin e krimeve të luftës, duke ofruar resurse njerëzore për t’iu dhënë përgjigjeve krimeve të luftës në këto dy shtete. Kroacia për tre vjet ka hetuar, ndjekur dhe dënuar afërsisht 1000 persona që kanë kryer krime lufte./KosovaPress

Read Previous

Avni Bytyçi jep dorëheqje nga posti i zëdhënësit të PDK-së

Read Next

​Deri në orën 13:00 votojnë mbi 31 përqind e qytetarëve me të drejtë vote në Shqipëri