Lojërat Olimpike janë padyshim njëra nga ngjarjet më të mëdha sportive në botë. Kosova është përfaqësuar denjësisht nga sportistët e saj në këtë ngjarje viteve të kaluara dhe ka për synim që të njëjtën gjë ta bëjë edhe kësaj radhe në Tokio.
Tashmë janë duke u bërë përgatitjet finale dhe ekipi prej 11 sportistësh nga fusha të ndryshme është i gatshëm ta përfaqësojë Kosovën përkrah mbi 200 vendeve të tjera që marrin pjesë në këtë ngjarje.
Sekretari i Komitetit Olimpik të Kosovës Shasivar Haxhijaj, thotë për KosovaPress se po bëhen përgatitjet finale për këtë ngjarje dhe së shpejti do të organizohet një ceremoni e veçantë ku presidentja Vjosa Osmani do t’ia dhurojë ekipit olimpik flamurin shtetëror.
Haxhijaj thotë se tashmë sportistët janë duke e marr edhe dozën e dytë të vaksinës kundër Covid-19, ashtu siç ishte kërkuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe se kjo është bërë në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse të Kosovës.
Në Lojërat Olimpike Tokio 2020 Kosova si asnjëherë më parë do të përfaqësohet nga 11 sportistë dhe Haxhijaj shprehet i bindur se ata nuk do të kthehen pa medalje nga atje derisa kërkon nga sportistët që të bëjnë një përfaqësim sa më dinjitoz të Kosovës.
Pjesëmarrja në një eveniment kaq të madh dhe të rëndësishëm për sportin natyrisht se ka edhe një kosto të madhe, por Haxhijaj për KosovaPress zbulon se nuk do të mungojnë edhe shpërblimet për ata sportistë të cilët arrijnë rezultate të mira ose fitojnë medalje në Tokio. Në rast se një sportist arrin ta fitojë medaljen e artë atje, shpërblimi që e pret në Kosovë është 100 mijë euro.
Në fund, Sekretari i KOK-ut bënë të ditur se sportistët të cilët fitojnë medalje në Lojërat Olimpike nuk marrin shpërblime monetare nga organizatorët e kësaj ngjarje, ashtu siç mund të mendohet, por kjo bëhet pastaj nga shtetet përkatëse varësisht se si i kanë rregullat dhe ligjet e tyre.
Ndryshe, Lojërat Olimpike Tokio 2020 do të zhvillohen nga 23 korriku deri më 8 gusht 2021./KosovaPress