​Izraeli dhuron 70 karroca për personat me aftësi të kufizuara

Izraeli për herë të dytë ka shpërndarë 70 karroca për personat me aftësi të kufizuara. E këto karroca do t’u shpërndahen fëmijëve në Prishtinë por edhe qendrat tjera të Kosovës.

Ceremonia e shpërndarjes u bë në Shoqatën Hendikos, ku drejtori i kësaj qendre, Afrim Maliqi tha se personat me aftësi të kufizuara nuk marrin asnjë shërbim institucional, përpos atyre social nga OJQ të ndryshme.

Maliqi tha se presin përkrahje në përmirësim të kuadrit ligjor për personat me aftësi të kufizuara.

“Këto karroca do t’iu shërbejnë fëmijëve me aftësi të kufizuara, si në Prishtinë por edhe gjithandej Kosovës, që do të bëjmë shpërndarjen e tyre, gjithë fëmijëve të cilëve iu përshtaten. Sot personat me aftësi të kufizuara, si fëmijët, si të rriturit, nuk marrin as pajisje ndihmëse, as shërbime tjera institucionale, përpos shërbimeve sociale nga organizatat e ndryshme joqeveritare edhe ndonjë mbështetja financiare që e marrin si kompensim mujor për mbulimin e shërbimeve të tyre ditore…Personat me aftësi të kufizuara dhe familjarët e tyre janë grupi më optimistë, përkundër asaj që janë grupi më i varfër dhe rrezikuar në vendin tonë“, tha ai.

Sipas tij, personat me aftësi të kufizuara ballafaqohen me mungesë të infrastrukturës së përshtatshme për të lëvizur lirshëm.

“Gjithsesi do të mundohemi të bashkëpunojmë edhe me klinikat e pediatrisë në spitalet regjionale sepse sigurisht edhe aty do të kenë nevoja që fëmijët sa të jenë të shtrirë aty, me qëllim të lehtësimit të lëvizjes më të lirë dhe më të lehtë, por gjithsesi kur flasim për lëvizjen e lirë, vendi ynë ende ballafaqohet me mungesën e infrastrukturës apo qasjen e duhur dhe të përshtatshme që personat me aftësi të kufizuara apo përdoruesit e karrocave të jenë të barabartë me lëvizjen e lirë edhe pse këtu ka një lëvizje, por ende po shpresojmë që duhet të rregullohet më tutje”, deklaroi Maliqi.

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tammy Ziv tha se këto karroca që sot shteti i saj i ka dhuruar për qytetarët e Kosovës me aftësi të kufizuara, janë simbol i miqësisë mes dy vendeve.

Ajo shpreson se me përdorimin e këtyre 70 karrocave do të lehtësohet jeta e këtyre personave.

“Këto karroca janë simbol i miqësisë mes vendeve tona dhe simbol i rëndësisë që ne në Izrael u japim marrëdhënieve me Kosovën. Është gatishmëria jonë për t’i forcuar këto lidhje, jo vetëm me qeverinë, por me popullin dhe fëmijët e këtij vendi, ministri izraelit i bashkëpunimit rajonal, Esawi Frej, i cili vizitoi Kosovën në muajin prill, dhe besoi se investimet më të rëndësishme janë ato te fëmijët, te të rinjtë dhe në edukimin e tyre, sepse këto investime sigurisht që do t’i kthejnë të arriturat….Besojmë se me këto karroca, jeta e tyre do të bëhet pak më e lehtë dhe ata do të mund të integrohen më mirë në jetën e përditshme. Ne do të punojmë së bashku me ju për të zhvilluar projekte të tjera bashkëpunimi në dobi të fëmijëve dhe familjeve të tyre”, u shpreh ajo.

Në ceremoninë e dhurimit të karrocave nga shteti izraelit mori pjesë edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili tha se si Qeveri po punojnë që të gjitha politikat e tyre të lehtësojnë jetën e qytetarëve pa dallim.

Read Previous

Studimi: Gjermania do të humbasë 260 miliardë euro

Read Next

Të premten afati i fundit për paraqitjen fizike të pensionistëve për verifikim