​Ish-ushtari i UÇK-së nga Buroja reagon pas dënimit të Thaçit: Padrejtësi ndaj gjithë popullit shqiptar

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Naim Shabani, e ka cilësuar të padrejtë aktgjykimin e shpallur sot në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të bashkakuzuarve të tij.

Duke folur për KosovaPress në Burojë të Skenderajt, vendlindjen e Thaçit, Shabani ka thënë se, sipas tij, Gjykata Speciale dhe Prokuroria kanë bërë padrejtësi jo vetëm ndaj ish-krerëve të UÇK-së, por edhe ndaj gjithë popullit shqiptar.

“Vendimin e shoh të padrejtë. Këta gjykatës e prokurorë kanë bërë një padrejtësi të madhe ndaj krerëve të ish-UÇK-së dhe gjithë popullit shqiptar. Mendoj se kjo gjykatë është e padrejtë dhe padrejtësi e madhe”, ka thënë Shabani.

I emocionuar nga vendimi, ai u ka bërë thirrje shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit që të reagojnë, duke shprehur pakënaqësinë e tij me proceset gjyqësore ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

“Nuk e di çfarë veprimesh, por e thërras gjithë popullin tim anembanë botës që të ngrihet në këmbë, sepse është padrejtësi e madhe që po bëhet. Nuk kemi bërë ne për t’u dënuar në Hagë. Ku është Karaxhiqi, ku është Slloba? Sa i dënuan serbë? Dy persona i kanë dënuar. E ne, një nga një, duke u dënuar për vendin tonë, për shtëpitë tona, për popullin tim. Le të na dënojnë mbarë popullin shqiptar. E kanë dënuar edhe tokën shqiptare, jo veç ata katër, por të gjithë ne, pa bërë krime e pa e sulmuar askënd në trojet tona, në tokat tona e shtëpitë tona. Ata erdhën, na sulmuan neve dhe na masakruan familjet. Ku është ai gjykatës? A i merr parasysh këto të dhëna? Kjo është marrëzi e padrejtësi e madhe”, ka thënë Shabani.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e kanë shpallur fajtor dhe e kanë dënuar me 17 muaj burgim ish-presidentin Hashim Thaçi për vepra penale që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.

Aktgjykimi u shpall sot, më 17 nëntor 2026, nga gjyqtari Christopher Gosnell.

Në të njëjtin proces, ish-drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, dhe Fadil Fazliu u dënuan me nga 12 muaj burgim. Dënimet e tyre konsiderohen të kryera për shkak të kohës së kaluar në paraburgim.

Ndërkaq, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, u dënua me 1 muaj burgim me kusht, ndërsa ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, u shpall i pafajshëm.

Ky proces gjyqësor lidhet me akuza për pengim të drejtësisë dhe është i ndarë nga çështja gjyqësore për krime lufte ndaj ish-presidentit Thaçi. /KosovaPress/

Read Previous

​Thaçi pas dënimit në Hagë: “Kjo është politikë, nuk është drejtësi”