Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci ka reaguar një ditë pas bastisjeve në Ministrinë e Bujqësisë dhe intervistimit të tij nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
“Jam i bindur që epilogu i këtij procesi do të jetë i njohur për ju sikurse është i njohur për rreth 30 mijë fermerë, që përfitojnë në baza vjetore subvencione dhe grante e që njëherit janë dëshmitarët më të vëmendshëm në çdo cep të Kosovës. Ata, më së miri e dinë se në funksion të kujt, e kam kryer detyrën zyrtare”, ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.
Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, zhvilloi të martën bastisje në Ministrinë e Bujqësisë.
Prokurori i rastit, Admir Shala tha më 27 maj se Prokuroria Speciale ka nisur një hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.
Ndërkaq, në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, janë kryer kontrolle në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, zyrën e një kompanie private dhe Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.
“Gjatë kontrollit janë sekuestruar pajisje elektronike [kompjuterë, telefona], si dhe dokumente të ndryshme në përputhje me urdhëresën e Gjykatës. Dy persona meshkuj kosovarë janë intervistuar dhe pas intervistimit në prani të avokatëve me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës. /KosovaPress