​Durmishi: Keqpërdorimet flagrante për patentë shoferë do të hulumtohen nga Prokuroria Themelore

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka deklaruar se nga dje terminet për patentë shofer si dhe ndarja e termineve do të mund të bëhen përmes platformës e-Kosova.

Në një prononcim për gazetarë, Durmishi njoftoi se ministria e Infrastrukturës për herë të parë e ka bërë edhe doracakun për patentë shoferë.

“Që nga dje e kemi lansuar edhe mundësinë qe përmes e-Kosova të mund të paraqiten provimet dhe ndarja e termineve online. Të gjitha këto në kuadër të punës tonë drejt digjitalizimit të komplet sistemit. Për më shumë për herë të parë ministria e ka bërë edhe doracakun për patentë shoferë”, tha Durmishi.

Durmishi tha se përkundër përpjekjeve për një sistem ligjor për patentë shoferë të ligjshëm, keqbërësit po gjejnë forma të pajisen me patentë shoferë në mënyrë korruptive. Ai theksoi se ka shumë shoferë të cilët janë të pajisur me patentë shoferë të mënyrë të jashtëligjshme dhe janë të pranishëm në komunikacion.

Tutje, zëvendësministri Durmishi tha se në bazë të gjeturave në njësitin në Pejë kanë hasur në 666 kandidatë që gjatë vitit 2023 kanë kaluar provimet aty dhe vet ata kandidatë kanë qenë nga qytete të tjera dhe se kjo metodë është dyshuese.

Ai tha se shumë dosje kanë mospërputhje të rregullave ligjore të marrjes së patentë shoferit, teksa shtoi se të gjithë këta kandidatë do të hulumtohen dhe do t’i konfiskohet patenta e shoferit dhe do ri-testohen në mënyra të tjera.

“Dyshimet tona kanë filluar nga informatat e shumta që na dërgonin qytetarët. Pas analizimit te statistikave vjetore që i kemi pranuar nga departamenti, na kanë njoftuar se ka dyshime për keqpërdorime të shumta, marrë parasysh të gjeturave ku shumë kandidat të cilët kinse pjesën teorike e kanë kaluar në vitin 2021, në kohën kur nuk kishte e- testim ndërsa pjesën praktike në vitin 2023, dhe në fillim te muajit janar të këtij viti. Gjatë monitorimit të këtyre qendrave kemi hasur në keqpërdorime të ndryshme, por në Njësinë e Patentë Shoferëve në Pejë kemi hasur në një dukuri që në njësitë tjera nuk ka ndodhur. Ngase në këtë njësi kishte 666 kandidatë gjatë gjithë vitit 2023, që kishin kaluar provimin praktik në kategorinë B, C dhe CI. Gjithashtu kemi gjetur se është keqpërdorur edhe emri edhe nënshkrimi i një ekzamineri i cili ka qenë në pension. Në shumë teste nënshkrimi i tij nuk përshtatet me origjinalin si dhe mbiemri i tij është shkruar gabimisht. Po ashtu, nga ato që kemi gjetur një pjesë e madhe e kandidatëve që kanë kaluar provimin nuk kanë qenë fare në Kosovë në atë kohë. Në qoftë se këto vërtetohen do të anulohen këto provime, do të konfiskohen këto patentë shoferë sepse janë marrë në mënyrë të kundërligjshme dhe do të jetë procedurë tjetër se si do të pajisen në të ardhmen prapë”, shtoi Durmishi.

Read Previous

Tre klube të Serie A në listën e 10 fituesve më të lartë për afatin kalimtar të janarit

Read Next

​Vitia: Kam drojën se do të vazhdojë ikja e mjekëve