​Dialogu me Serbinë dhe liberalizimi i vizave nuk gjejnë vend në fushatën e partive politike

Dy temat, ndër kryesoret të politikës së jashtme të Kosovës, dialogu me Serbinë dhe liberalizimi i vizave nuk po gjejnë vend në para fushatën zgjedhore të partive politike. Ani pse dy qeveri u rrëzuan në tri vitet e fundit për shkak të dialogut, partitë ende nuk kanë shfaqur një artikulim të qartë sa i përket kësaj teme. Madje, pak e përmendin edhe gjatë takimeve me qytetarë. Arsye për këtë, nga njohësit politik po konsiderohet se këto tema nuk janë më popullsite për të sjellë vota.

Si pasojë e kësajhulumtuesja në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Violeta Haxholli iu kërkon partive dhe kandidatëve për kryeministra ta paraqesin një program të qartë për dialogun me Serbinë.

Haxholli: Partitë duhet të ketë një artikulim më të qartë sa i përket temës së dialogut

“Ende nuk kemi parë ndonjë reflektim të qartë të subjekteve politike se cili është programi i tyre sa i përket çështjes së dialogut. Kjo çështje është pritet të jetë një nga sfidat e qeverisë të re që do të dalë nga zgjedhjet…konsideroj se subjektet politike që po garojnë në zgjedhje duhet të ketë një artikulim më të qartë sa i përket temës së dialogut. Të tregojnë edhe për votuesit se cili është plani i tyre dhe cila do të jetë qasja e tyre ndaj dialogut, sidomos edhe kandidatët për kryeministër duhet të paraqesin programin e tyre karshi dialogut dhe qasjes së tyre kur kjo temë do të jetë në tryezë të qeverisë, por edhe Kuvendit”.

Ndërsa, drejtori i organizatës joqeveritare “Çohu”, Arton Demhasaj thotë për KosovaPress, se ka tendenca nga partitë politike për t’i ikë temës së dialogut gjatë fushatës zgjedhore.

Demhasaj: Ka tendenca nga partitë me i ikë temës së dialogut

“Për faktin se dialogu me Serbinë nuk është një temë popullsite dhe nuk është që sjell mundësi të votave partive politike, vazhdimisht ka tendenca me i ikë kësaj teme. Madje në dy-tri palë zgjedhjet e fundit parlamentare që janë mbajtë edhe përkundër se kjo ka qenë kryetemë në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare për Kosovën, asnjëherë partitë politike nuk janë marrë e trajtu seriozisht këtë temë….Duke marrë parasysh se në aspektin ndërkombëtar kërkesa e parë që do të vije kurdo që të bëhet qeveria pas zgjedhjeve të 14 shkurtit do të jetë rikthimi në dialog dhe tendenca për me arrit një marrëveshje, për mua është e pakuptim si partitë politike nuk i kushtojnë rëndësi fare kësaj teme. Pastaj kjo menjëherë po bëhet kryetemë e ditës, madje nuk është që partitë politike kanë ndërtu parime, apo një platformë të qartë se si kanë me iu qas dialogut”, deklaron Demhasaj.

Dialogun me Serbinë dhe liberalizimin e vizave, profesori i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, Dorajet Imeri po i sheh si tema mbi partiake, të cilat sipas tij, nuk janë plotësisht në dorën e institucioneve kosovare.

Imeri: Dialogu dhe liberalizimi i vizave nuk po diskutohen nga partitë

“Kjo është një temë mbi partiake, prandaj edhe nuk besoj që partitë politike do të duhej të përdornin këtë pikë, sikur atë me liberalizimin e vizave. Këto janë procese për të cilat nuk varet nga kjo qeveri dhe një parti politike. Liberalizmi i vizave tani është një proces i cili varet nga BE-ja, por edhe një performancë e Kosovës në krijimin e një shteti ligjor dhe së drejtësi. Por e dina se kjo ka mbet si pengesë e mos votimit edhe nga disa shtete të BE-së. Ndërsa sa i përket dialogut kjo është një temë e madhe dhe pavarësisht se çfarë konstilacionesh do të kemi në Kuvendin e Kosovës, konsideroj se vetëm me një kohezion nacional mund të kalohet si temë. Përndryshe është një temë që i ka kushtuar shumicës së qeverive të Kosovës dhe prandaj po vlerësoj se partitë politike nuk po lëshohen në këtë temë, përkundër që është shumë e rëndësishme”, pohon ai.

Dialogu me Serbinë dhe liberalizimi i vizave si proces kanë nisur rreth dhjetë vite më parë, derisa këto tema kanë mbetur ende, në Kosovë janë mbajtur disa palë zgjedhje parlamentare./KosovaPress.

Read Previous

Më shumë se gjysma e burrave po luftojnë me vetëbesimin e tyre në punë, thotë studimi

Read Next

​IKSHPK furnizohet edhe me 100 mijë teste PCR