Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Naim Murseli dhe Granit Plava janë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademaj në nëntor të vitit 2023. Ndërsa me 30 vjet privim nga liria u dënua Kushtrim Kokalla, raporton KosovaPress.
Ky vendim i Gjykatës Themelore të Prishtinës u bë sot i ditur nga kryetarja e trupit gjykues, Fatmire Dërmaku.
Në fjalën përfundimtare, prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq ka kërkuar burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt. Sipas saj, kjo vrasje ishte e planifikuar.
Ndërsa, burgim të përjetshëm për Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën kërkoi edhe vëllai i të ndjerës, Liridonës, Leonard Ademaj. Kërkesë të njëjtë pati edhe avokati i familjes Ademaj, Leutrim Syla.
Mbrojtësit e të akuzuarve në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt kanë paraqitur qëndrimet e tyre përfundimtare para gjykatës, duke kërkuar vendime të drejta dhe të bazuara në prova.
Mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-ës, Liridona Ademaj u vra në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës, teksa ishte në veturë bashkë me bashkëshortin Naim Murselin dhe dy fëmijët e tyre.
Sipas aktakuzës Naim Murseli e planifikoi vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj me qëllim që të përfitonte nga sigurimi i saj jetësor në Suedi, në vlerë prej rreth 260 mijë eurosh.
Aktakuza thotë se Kushtrim Kokalla e kishte njoftuar Naim Murselin me Granit Plavën, i cili akuzohet si dorasi.
Tre të akuzuarit për vrasjen e Liridonës, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla nuk janë të pranishëm në sallën e gjyqit.
Sipas Prokurorisë, ai kishte kryer vrasjen në këmbim të 30 mijë eurove nga Murseli. /KosovaPress/