​Bizneset presin themelimin e shpejtë të Gjykatës Komerciale

Përfaqësues të biznesit në Kosovë po shpresojnë që qeveria Kurti do të themelojë Gjykatën Komerciale, pasi kjo është kërkesë e kahershme e tyre. Nevoja për krijimin e kësaj trupe vjen nga numri i madh i lëndëve ekonomike që janë në pritje tash e sa vite.

Optimiste për krijimin e kësaj gjykate është edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila vlerëson se kjo gjykatë është një shans i mirë që Kosova të mos përfundojë gjithmonë në arbitrazhet e jashtme në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Ajo thotë për KosovaPress, se do të marrin masa adekuate për themelimin e Gjykatës Komerciale.

Kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi shpreson se gjatë këtij mandati të qeverisë do të finalizohet themelimi i Gjykatës Komerciale, për të cilën bizneset kanë adresuar kërkesa tash e sa kohë.

Si Odë e Afarizmit, Krasniqi thotë se i kanë dërguar rekomandimet e tyre qeverisë Kurti, teksa shton se kjo e fundit duhet t’i zgjidhë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me biznes.

Krahas kësaj, Krasniqi thekson nevojën për ligjin për falimentim dhe atë mbi pagesa.

Mes tjerash, ai flet për rëndësinë e shqyrtimit të shpejtë të lëndëve të vjetruara nga Gjykata Komerciale, në mënyrë që t’u hapet rrugë lëndëve të reja.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi pret që themelimi i Gjykatës Komerciale të mos vonojë.

Përveç shqyrtimit të shpejt të lëndëve që kjo gjykatë do të duhet të bëjë, Rukiqi thekson rëndësinë e trajtimit përmbajtësor të lëndëve.

Ai është i bindur se kjo gjykatë do të ndikojë pozitivisht në klimën e të bërit biznes dhe në nxitjen e investimeve të huaja.

Ditë më parë, Ministria e Drejtësisë ka diskutuar lidhur më projektligjin dhe për funksionalizimin e Gjykatës Komerciale, ku është folur edhe për çështjen e dyshkallshmërisë së Gjykatës Komerciale dhe rolin e saj në shqyrtimin e lëndëve të natyrës komerciale të bizneseve dhe personave të tjerë juridikë në Kosovë.

Themelimi i Gjykatës Komerciale, Ministria e Drejtësisë vlerëson se do të sillte ndikim pozitiv për grupet e interesit, veçanërisht për investitorët dhe bizneset e huaja në vend duke prodhuar siguri më të madhe juridike dhe kësisoj duke ofruar më shumë edhe investime nga jashtë.

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë kanë avokuar vazhdimisht për një mekanizëm gjyqësor, i cili mundëson zgjidhje të shpejt të problemeve që kanë bizneset dhe investitorët.

Sipas strukturës organizative të gjykatave të Kosovës, të përcaktuar në ligjin për gjykatat, departamenti për çështje ekonomike që vepron në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është i vetmi departament që ka kompetencë të merret me çështjet ekonomike/afariste nga e gjithë Kosova./KosovaPress

Read Previous

Massimiliano Allegri ndryshon planet e Juventus-it

Read Next

Koha për rritjen e pagës minimale në sektorin privat, thonë njohësit e çështjeve ekonomike