​Begaj: Zgjidhja e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi s’është vetëm çështje politike, por edhe sigurie

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka deklaruar se zgjidhja e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi nuk është vetëm një çështje politike, por edhe çështje sigurie për rajonin dhe Evropën.

Gjatë fjalimit në pritjen e organizuar sonte për përfaqësuesit e Trupit Diplomatik në Tiranë, Begaj u bëri thirrje vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë dhe t’i japin fund status-quo, në mënyrë që të mos përsëriten sulme të ngjashme si në Banjska, që mund të sjellin pasoja të rënda për rajonin dhe Evropën.

Ai përshëndeti heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari dhe përsëriti qëndrimin për integrimin e saj euro-atlantik.

Presidenti Begaj konfirmoi qëndrimin se Shqipëria do të vijojë të ketë politikë të jashtme dhe të sigurisë të linjëzuar me Bashkimin Evropian dhe SHBA, si dhe do të angazhohet në forcimin e multilateralizmit dhe të bashkëpunimit rajonal.

Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes së Ballkanit Perëndimor nga Bashkimi Evropian përmes krijimit të mekanizmave që mundësojnë jo vetëm linjëzim politik, por edhe përparim ekonomik dhe lehtësira për jetën e përditshme të qytetarëve.

“Për shqiptarët në rajon, anëtarësimi në BE është çështje e interesit kombëtar”, deklaroi Begaj duke shtuar se faktori shqiptar ka kontribuar dhe do të vijojë të kontribuojë në paqen dhe sigurinë e rajonit.

Për përshpejtimin e procesit integrues të Shqipërisë në BE, presidenti theksoi nevojën e thellimit të reformave dhe nxitjen e zhvillimit social-ekonomik që u shërbejnë shqiptarëve dhe çeljes së kapitujve për anëtarësim në bllok si dhe konsolidimit të besimit të aleatëve me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidenti Begaj theksoi angazhimin për reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies nga institucionet publike, si dhe përpjekjet për drejtësi sociale. /Top-Channel/

Read Previous

Trump: Po të isha president, nuk do të ndodhte lufta në Ukrainë

Read Next

Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu dalin para Gjykatës së Apelit