​“Arkeologjia e Ballkanit” mbledh studiues ndërkombëtarë në Kosovë

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës sot ka nisur punimet e konferencës ndërkombëtare “Arkeologjia e Ballkanit”, përmes të cilës synohet promovimi i rezultateve të gërmimeve dhe studimeve arkeologjike në Ballkan.

Në këtë konferencë ndërkombëtare po marrin pjesë studiues ndërkombëtarë e vendorë të arkeologjisë.

Nora Arapi-Krasniqi, këshilltarja e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çekut, u shpreh se mbrojtja dhe zhvillimi i trashëgimisë kulturore si mjet për promovimin e vlerave dhe ngritjes së prosperitetit ekonomik është prioritetet i Qeverisë së Kosovës.

Arapi-Krasniqi: Mbrojtja dhe zhvillimi i trashëgimisë kulturore prioritet strategjik për Qeverinë

“Mbrojtja dhe zhvillimi i trashëgimisë kulturore si mjet për promovimin e vlerave të përbashkëta dhe ngritjes së prosperitetit ekonomik paraqet një prej prioriteteve strategjike të qeverisë së Republikës së Kosovës. Kosova ka një pasuri të jashtëzakonshme të trashëgimisë kulturore materiale dhe jo materiale. Në veçanti trashëgimia e pasur arkeologjike jep dëshminë për lashtësinë e civilizimit në trojet, prandaj kjo fushë duhet të trajtohet me kujdes dhe vëmendje të veçantë. Krahas njohjes, dokumentimit, publikimi dhe promovimi i rezultateve ka rëndësi të veçantë si në promovimin në aspekt shkencor-akademik, por edhe në vetëdijesimin e publikut më të gjerë për vlerat, potencialet e trashëgimisë arkeologjike për vendin tonë“, ka deklaruar Arapi-Krasniqi.

Ushtruesja e detyrës së rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Luljeta Plakolli-Kasumi u shpreh se konferenca të tilla shkencore për arkeologjinë janë fryt i bashkëpunimit që buron nga një traditë e gjatë e partneritetit të Kosovës dhe perëndimit.

Plakolli – Kasumi: Kjo konferencë mbledh studiues të fushës së arkeologjisë

“Mbledh studiues të shumtë të fushës së arkeologjisë dhe disiplinave të saj për të prezantuar dhe diskutuar rezultatet e gërmimeve dhe rezultateve të fundit nga fusha e studimeve arkeologjike në territorin e Ballkanit. Organizimi i kësaj konference ndërkombëtare shkencore është fryt i një bashkëpunimi që buron nga një traditë e gjatë e partneritetit e institucioneve të Kosovës dhe atyre perëndimore, Francë, Gjermani, Hungari, Itali në fushën e studimeve arkeologjike”, theksoi ajo.

Studiuesi francez, Christophe Goddard u shpreh se trashëgimia mund të mbetet vetëm nëse është e mirëmbajtur dhe gëzon mbështetje.

Goddard: Trashëgimia mund të mbetet vetëm nëse është e mirëmbajtur

“Kemi fatin këtu në Kosovë që kemi këtë mundësi të jemi kaq të mbështetur dhe kjo na mundëson të bëjmë gjëra të shumta. Vetëm trashëgimia mund të mbetet vetëm nëse është e mirëmbajtur sigurisht që ne mund ta bëjmë punën tonë, por kemi gjithsesi nevojë për ndihmë dhe kjo ndihma sa është e rëndësishme që gjithmonë ta kemi këtë mbështetje”, u shpreh ai.

Profesori universitar dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola theksoi se këto lloj konferencash kanë interes shumëdimensional për Kosovën.

Gola: Prodhimtarja në fushën e arkeologjisë është me interes të shumëfishtë

“Për shtetin e Kosovës prodhimtarja në fushën e arkeologjisë është me interes të shumëfishtë duke filluar me atë historik, me ç’rast kemi të bëjmë me një fushë që shpalos në mënyrë të vazhdueshme historinë e lashtë të popujve që jetojnë në këtë hapësirë, interesi shkencor pasi që Kosova si një kompleks pothuajse arkeologjik me lokalitet të shumta arkeologjike që ka është një lloj parajse arkeologjike për shumë studiues, arkeologë e shkencëtar pavarësisht nga vijnë. Është edhe me interes turistik pastaj mund të shërbejnë edhe si pika të vizitave me interes turistik nga qytetarët kureshtar unë do të thosha me interes politik e kulturor pasi që duke qenë që arkeologjia na i shpalos ekzistencën e ndryshme të identitetit për historinë“, u shpreh ai.

Konferenca ndërkombëtare “Arkeologjia e Ballkanit”, do të vazhdojë punimet deri më 19 nëntor 2022. /KosovaPress/

Read Previous

Zelensky: Marrëveshja e grurit është zgjatur me 4 muaj

Read Next

Shefi i OKB-së konfirmon vijimësinë e marrëveshjes së grurit mes Rusisë dhe Ukrainës