Milani po i afrohet gjithnjë e më shumë transferimit të Ardon Jasharit nga Club Brugge. Sipas informacioneve më të fundit, kanë ndodhur kontakte të reja pozitive midis palëve, konkretisht mbrëmjen e së dielës, më 6 korrik, çka ka shtuar optimizmin për arritjen e marrëveshjes përfundimtare.
Kuqezinjtë kanë dërguar tashmë një ofertë të dytë zyrtare për mesfushorin zviceran me origjinë shqiptare, e cila përfshin një shumë totale prej 35 milionë eurosh, të ndarë në 32.5 milionë euro si pagesë fikse dhe 2.5 milionë euro bonuse. Megjithatë, përmes burimeve ‘Calciomercato’, mësohet se në tryezë është diskutuar edhe një version paksa më i lartë, që mund të arrijë deri në 38 milionë euro nëse plotësohen disa kushte, të cilat janë relativisht të vështira për t’u përmbushur.
Në bisedimet e fundit, një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, i cili ka qenë personalisht i përfshirë në negociata dhe ka shtuar një tjetër “tullë” në ndërtimin e marrëveshjes finale.
Milani është i gatshëm të investojë këtë shumë për një lojtar që ka shkëlqyer në sezonin e fundit në Belgjikë dhe që është shpallur lojtari më i mirë i kampionatit. Ardhja e Jasharit është tashmë vetëm çështje kohe, me detajet e fundit që priten të finalizohen së shpejti.
Lojtari 22-vjeçar ka rënë dakord prej kohësh për kushtet personale me Milanin: një kontratë pesëvjeçare (katër vite të garantuara dhe një opsion për vitin e pestë). /KosovaPress/