Këshilli Prokurorial i Kosovës konfirmoi se suspendoi kryeprokuroren e Pejës, Lumturije Vuçetaj dhe prokuroren Arlinda Nallbani Gacaferi si dhe që caktoi ushtruese të detyrës së kryeprokurores në Prokurorinë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj.
Në njoftim për media jepen edhe detaje të tjera.
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), nën udhëheqjen e kryesuesit, Arian Gashi, mbajti sot një takim të jashtëzakonshëm, në të cilin shqyrtoi kërkesën e Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnulla Gashi, për fillimin e procedurës disiplinore ndaj kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe Prokurores së rastit, njëherësh koordinatore për rastet e dhunës në familje, Arlinda Nallbani-Gacaferri.
Pas shqyrtimit të kërkesës së autoritetit kompetent (Kryeprokurorit të Shtetit), Këshilli Prokurorial i Kosovës, vendosi të themelojë panel hetimor për trajtimin e rastit si dhe miratoi propozimin për suspendimin e të dy subjekteve të hetimit, ndaj të cilave kërkohet zhvillimi i procedurës disiplinore.
“Vendimet e Këshillit Prokurorial të Kosovës, janë marrë në bazë të të gjeturave nga raporti me numër reference A.Nr. 379/2026, e të paraqitura në kërkesën për fillim të hetimit disiplinor nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, që ndërlidhet me rastin e vrasjes së A. Z.
Gjithashtu, Këshilli Prokurorial mori vendim që të caktojë për Ushtruese të Detyrës së Kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj.
KPK mbetet i përkushtuar në ushtrimin e mandatit të tij ligjor, garantimin e llogaridhënies dhe forcimin e integritetit të sistemit prokurorial, duke siguruar që të gjitha procedurat të zhvillohen në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës. /KosovaPress/