Në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë, është bërë e ditur se deri më tani në Kosovë janë vaksinuar rreth 7 mijë e 200 mësimdhënës.
Numri i vogël i personelit arsimor të vaksinuar po shihet si shqetësues edhe për Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. Ymer Ymeri, përfaqësues nga kjo sindikatë thotë për KosovaPress se nuk ka asnjë arsye që mësimdhënësit të refuzojnë vaksinimin.
Ai potencon se mos vaksinimi i mësimdhënësve mund të ndikojë që viti i ri shkollor të rrezikojë të nisë me prezencë fizike në objektet shkollore.
Ymeri deklaroi se nuk do të kundërshtojnë nëse merret vendim që vaksinimi i mësimdhënësve të bëhet obligativ.
Në anën tjetër, zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, shprehet se nuk ekziston asnjë ligj i cili detyron vaksinimin, por thotë se një gjë e tillë është obligim moral.
Megjithatë bën thirrje për vaksinim në mënyrë që të bëhet i mundur fillimi normal i vitit të ri shkollor.
Mësimdhënësit kanë qenë kategori me prioritet për vaksinim, në mënyrë që në shtator të fillojë procesi i rregullt mësimor./KosovaPress