Policia e Kosovës deri më tani ka pranuar 21 informacione të ndryshme për probleme dhe parregullsi në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, prej të cilave ka hapur tri raste, dy në Junik dhe një në Vushtrri.
Në një komunikatë për media thuhet se nga 21 informacione të deritanishme, një ishte për ndërhyrje në votim, pesë për fotografim të votimit, një fjalosje në qendër të votimit, shtatë grumbullime të personave në afërsi të qendrave të votimit, dy blerje e votës, një kanosje, një bezdisje e qytetareve, një falsifikim i dokumentit të bexhit, një person i dehur në qendër të votimit dhe një informatë për mosmarrëveshje në qendër të votimit.
Nga këto 21 informacione të trajtuara, me vendim të prokurorëve kompetent deri më tani janë hapur tri raste – një në Junik – Pejë për pengim të procesit të votimit ku një person i dyshuar është ndaluar për 48 orë, një rast po ashtu në Junik – Pejë për prishje të rendit dhe qetësisë publike ku personi i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt, dhe një rast në Vushtrri për falsifikim të dokumentit, i cili po ashtu ka vazhduar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës inkurajon të gjithë qytetarët që të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre në telefoninë fikse dhe mobile: 192 ose në adresën elektronike [email protected] si dhe në stacionet më të afërta policore.