Përkundër që KosovaPress ka kërkuar përgjigje lidhur me zbatimin e marrëveshjes së arritur të shtunën për energji mes KEDS dhe Elektroserverit, KEDS nuk ka dhënë detaje çfarë parasheh marrëveshja e arritur të shtunën.
Përmes një përgjigje me shkrim për KosovaPrees, zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi nuk ka dhënë më shumë detaje, përveçse ka treguar procedurat e marrëveshjes.
“Me nënshkrimin e kontratës, Elektrosever, si furnizues i licencuar nga ZRRE-ja, mund të fillojë operimet për kryerjen e aktiviteteve të furnizimit në pjesën veriore. Kontratat e nënshkruara ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever e mundësojnë këtë, bashkë me rolet dhe përgjegjësitë e rregulluara të secilës palë, konform legjislacionit primar dhe sekondar të aplikueshëm në Republikën e Kosovës”, thotë KEDS përmes një përgjigje me shkrim për KosovaPress.
Sipas tij, kjo kontratë i përmbahet ligjit të Kosovës dhe kornizës rregullative.
“Kjo kontratë i përmbahet ligjit të Kosovës dhe kornizës rregullative, në përputhje me Marrëveshjet e Energjisë të datës 8 shtator 2013 (“Marrëveshjet e Energjisë 2013”) dhe Konkluzionet e Lehtësuesit të BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë të vitit 2013, të datës 25 gusht 2015 ( “Marrëveshjet për Energjinë 2015”), si dhe Udhëzuesin për Zbatimin e Marrëveshjeve Energjetike të nxjerra më 21 qershor 2022. Rrjedhimisht, me nënshkrimin e kësaj kontrate, Elektrosever, si nën-kontraktor i KEDS-it, duhet të përmbushë detyrimin kontraktual të shërbimeve të shpërndarjes dhe furnizimit bazuar në licencën e furnizuesit në pjesën veriore të Kosovës.Kontrata e nënshkruar meKEDS-in rregullon përdorimin e rrjetit të shpërndarjes sipas marrëveshjes për kyçje, njësoj si për furnizuesit e tjerë që janë aktivë në Kosovë”, thuhet mes tjerash në përgjigjen me shkrim nga KEDS.
Po ashtu kjo kompani nuk ka treguar se cilat do të jenë përftimet e Kosovës nga kjo marrëveshje. /KosovaPress/