Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) pritet të publikojë sot edhe dy raporte të reja tematike nga Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos 2024), ndërsa ka paralajmëruar një sërë raportesh të tjera që do të publikohen deri në vitin 2026. Në mesin e tyre përfshihen parashikimi i popullsisë për 15 vitet e ardhshme, një profil gjithëpërfshirës i komunave, si dhe një anketë demografike dhe shëndetësore që pritet të zhvillohet në vjeshtën e këtij viti.
Gjatë prezantimit të raporteve tematike nga Regjistrimi i Popullsisë, u tha se, regjistrimi i Bujqësisë është planifikuar për tetorin e vitit 2026.
Sipas drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati, në total janë planifikuar 24 raporte tematike nga ReKos 2024.
“Planifikohen 24 raporte tematike gjatë viteve 2025-2026. Kemi planifikuar të publikohen të gjitha në vitin 2025, por mund të jetë ndonjë raport që do të publikohet në vitin 2026. Deri më tani janë publikuar katër raporte, ndërsa sot do të mund të shihni edhe dy raporte në webfaqen e ASK-së për banesat, ndërtesat, si dhe të dhënat demografike sipas komunave, d.m.th. edhe sot i lëshojmë dy raporte. Dy raporte specifike, apo të rëndësishme janë edhe dy prej tyre, për herë të parë do të përgatisim një raport për komunat, që e kemi quajtur profili i komunave, që është vetëm një raport, por janë 38 raporte në nivel komunave, ne e quajmë një raport, por, për secilën komunë do të përgatisim një profil të komunave që do të ju ndihmon juve të keni qasje për shumë indikatorë në komunën tuaj. Kjo është sfidë për ASK-në, sepse gjithë indikatorët për secilën komunë duhet të ndahen”, ka thënë Kastrati.
Një prej raporteve më të rëndësishme që pritet të dalë në fund të vitit është parashikimi i popullsisë për 5, 10 dhe 15 vitet e ardhshme. ASK ka angazhuar ekspertë ndërkombëtarë për këtë proces, duke marrë mbështetje nga partnerë ndërkombëtarë, për shkak të ndjeshmërisë dhe kompleksitetit të këtij raporti.
“Do të keni edhe parashikimin e popullsisë, për pesë, dhjetë, pesëmbëdhjete vite, kjo do të jetë instrument i fuqishëm për të planifikuar të ardhmen…Për këto raporte, janë sfiduese për ne, kemi kërkuar mbështetje ndërkombëtare, sepse janë specifike, shumë shtete në regjion nuk mund t’i përgatisin, sidomos parashikimin e popullsisë, sepse është sensitiv dhe kërkohet vëmendje e shtuar. Ne kemi kërkuar mbështetje, dhe kemi arritur t’i kemi ekspertë ndërkombëtarë. Raporti pritet me dalë në fund të këtij viti, d.m.th para se t’i çojmë gotat për vit të ri, ju do t’i keni këto të dhëna për komunën tuaj, nëse nuk na del ndonjë sfidë madhore gjatë procesit. Ne si institucion i kemi zakonisht brenda ditës 20 deri në 30 kërkesa të ndryshme nga institucionet, komunat, shfrytëzuesit, nga akademia, ndërkombëtarët, nga studentë, nuk mund gjitha menjëherë, duhet një ekip shtesë. Komuna e Prishtinës dhe disa komuna kërkojnë të dhëna shumë herë, detaje, që ne kurrë nuk i kemi publikuar dhe as nuk i publikojmë. Kështu ju inkurajoj kur keni nevojë ju, sepse qëllimi është t’i shfrytëzojmë ato të dhëna, të jenë të shfrytëzueshme”, ka nënvizuar Kastrati.
Ndërkohë, në shtator të këtij viti, ASK do të realizojë një anketë të madhe demografike dhe shëndetësore në gjithë Kosovën, e njohur si miks, e cila do të përfshijë shumë indikatorë me rëndësi për politikat publike në vend.
Kastrati gjithashtu njoftoi se regjistrimi i Bujqësisë është planifikuar për tetorin e vitit 2026, për shkak të nevojës për miratimin e ligjit përkatës dhe mbivendosjes me zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë vit.
“Në vjeshtën e këtij viti, në shtator, e kemi një anketë shumë të madhe në Kosovë, që do ju prek edhe juve, disa ekonomi familjare, quhet miks, që do të grumbullohen shumë indikator, kështu që ju inkurajoj që nëse mostra ka qëlluar në shtëpinë e juaj të jeni bashkëpunueses, sepse ka shumë indiaktor që i nevojiten Kosovës për të ardhmen. Kjo anketë nget të dhëna për çështje sociale me fokus demografike dhe shëndetësore, që janë shumë të rëndësishme për politikbërje. Është një anketë në gjithë Kosovën, gjithë komunat, dhe inkurajoj të bashkëpunoni nëse do të jeni pjesë e anketës. Regjistrimi i bujqësisë, na nevojitet sërish një koordinim me ju. Kishim plane më herët 2022-2023 që regjistrimi i bujqësisë të jetë në vitin 2025, por për shkak legjislacionit sepse, duhet një ligj, dhe zgjedhjet komunale janë në tetor, e kemi lenë për tetorin e vitit të ardhshëm regjistrimin e bujqësisë, edhe ky kërkon bashkëpunim si i popullsisë, sepse janë rreth 2 mijë e 500 persona. Siç e kemi pas me regjistrimin e popullsisë, pothuajse njëjtë, vetëm pyetësori më duket se ndryshon. Është më kompkes ky pyetësor sepse hyn në detaje”, ka shtuar Kastrati.
Kujtojmë se, sipas statistikave të publikuara Kosova ka 1, 586,659 banorë. Prej tyre 795.046 meshkuj dhe 791.614 femra. Kurse nga gjithsej 38 komuna sa ka vendi 9 prej tyre kishin rritje. Kurse, 29 të tjera kishin zvogëlim të popullsisë. /KosovaPress/