Spalletti: Juve më e fortë pas merkatos por Inter është para të gjithëve
Banka Qendrore e Holandës ka zhvendosur një pjesë të konsiderueshme të rezervave të saj të arit nga Amerika e Veriut drejt Londrës, duke e lidhur vendimin me përgatitjet për situata të mundshme krize në kohën e pasigurive politike globale.
Institucioni njoftoi të mërkurën se nga marsi deri në gusht janë zhvendosur rreth 86 tonë metrikë ar nga rezervat që mbaheshin në Nju Jork dhe Otavë, shkruan AP.
Para këtij ndryshimi, në Nju Jork ruheshin 31.3 për qind e rezervave holandeze, ndërsa në kryeqytetin kanadez 19.7 për qind. Tash, secili prej këtyre dy lokacioneve mban nga 18.5 për qind.
Banka Qendrore Holandeze zotëron gjithsej 612.4 tonë metrikë ar. Në fund të vitit 2025, këto rezerva vlerësoheshin në 72.2 miliardë euro, apo rreth 83.6 miliardë dollarë.
Guvernatori Olaf Sleijpen tha se zhvendosja synon ta bëjë arin më lehtë të tregtueshëm dhe të forcojë gatishmërinë e institucionit për situata të jashtëzakonshme.
“Me këtë zhvendosje kemi përmirësuar mundësinë e tregtimit të rezervave tona të arit. Presim që të mos kemi kurrë nevojë t’i përdorim ato, por duhet të forcojmë qëndrueshmërinë dhe gatishmërinë tonë”, deklaroi Sleijpen.
Më shumë se 27 tonë ar janë transportuar fizikisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja drejt kasafortës së sigurisë së lartë të bankës, e cila ndodhet në një bazë ushtarake pranë qytetit Zeist.
Institucioni nuk ka dhënë hollësi se në çfarë mënyre shufrat e arit janë transportuar përtej Atlantikut.
Një sasi e ngjashme është dërguar nga Zeisti në Londër.
Pjesa tjetër e zhvendosjes është realizuar përmes shitjes së rreth 59 tonëve ar në Nju Jork. Mjetet e siguruara janë përdorur për të blerë të njëjtin metal të çmuar në Londër.
Banka Qendrore Holandeze, e njohur si DNB, sqaroi se rezervat e mbajtura në Bankën e Anglisë përmbushin standardet moderne ndërkombëtare të tregtimit.
Sipas saj, ari në Londër konsiderohet ndër më të lehtët për t’u tregtuar në botë dhe mund të vihet më shpejt në dispozicion në rast krize.
“Rezervat e arit që mbahen në Nju Jork dhe Otavë nuk mund të përdoren aq shpejt dhe drejtpërdrejt në një situatë të tillë”, thuhet në njoftimin e bankës. /KosovaPress/