Shqetësimet e Bashkimit Evropian pas miratimit të ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë nxitur reagime në mesin e përfaqësuesve politikë në vend. Derisa Brukseli ka shprehur kundërshtimet e tij për këtë çështje, deputetë të partive parlamentare vënë theksin te nevoja për koordinim institucional për ta bindur Unionin për ligjin dhe ruajtjen e marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtarë.
Nga Lëvizja Vetëvendosje, deputeti Artan Abrashi thotë se qeveria do të zhvillojë takime me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, në mënyrë që të sqarohen qëllimi dhe arsyet e miratimit të ligjit për Specialen.
“Besoj se tash do të ketë takime të ndërsjella dhe do të sqarohen pozicionet dhe qëllimi i votimit të këtij ligji te partnerët tanë, BE-ja. Po ashtu, besoj se edhe PDK-ja, si sponsorizuese, mban një pjesë të përgjegjësisë për sqarimin e kësaj iniciative që tashmë është votuar. Uroj të gjejmë një gjuhë të përbashkët për këtë çështje”, tha Abrashi.
Në anën tjetër, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, mbron të drejtën e Kuvendit për të marrë vendime në ushtrim të përgjegjësive të tij.
Ajo thekson se Kosova duhet të vazhdojë bashkëpunimin me aleatët, por kërkon që qëndrimi i Bashkimit Evropian të marrë parasysh edhe parimin e sovranitetit të shtetit të Kosovës.
Musliu-Shoshi rikujton se, sipas saj, ligji për Specialen është miratuar me më shumë se 80 vota dhe kërkon që ai të zbatohet.
“Kuvendi i Kosovës është zëri i popullit dhe është institucioni më i lartë që merr vendime, të cilat vlerëson se janë në të mirën e shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ne, pa miq dhe aleatë, asnjëherë nuk kemi pasur mundësi që të ecim përpara dhe të arrijmë objektivat e shtetit tonë. Vlerësoj se është e rëndësishme që të kemi një koordinim edhe për Dhomat e Specializuara. Sa i përket ligjit, ka kaluar me më shumë se 80 vota në Kuvendin e Kosovës dhe duhet patjetër që të implementohet. Duhet patjetër që BE-ja të na ndihmojë që e drejta për shtet sovran, e drejta jonë për të marrë frymë lirisht në këtë vend, të jetë parimore dhe të trajtohet me prioritet”, potencoi ajo.
Kurse deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, vlerëson se reagimet e BE-së ishin të pritshme, duke pasur parasysh zotimet e Kosovës për themelimin e Dhomave të Specializuara.
Ai kërkon një koordinim më të mirë ndërmjet udhëheqësve dhe institucioneve të vendit, me qëllim që kjo çështje të mos ndikojë negativisht në rrugën e integrimit evropian dhe euroatlantik.
“Reagimet e tjera që vijnë nga BE-ja janë të pritshme sepse Kosova ka pranuar në vitin 2015 ta ndajë sovranitetin për themelimin e tribunalit të saj, që quhet Dhomat e Specializuara, dhe tash duhet një koordinim tjetër, një nivel tjetër. Presidentja e re në detyrë, kryeministri në veçanti, si përfaqësues i forcës kryesore politike, edhe kryetari i Kuvendit, diplomacia parlamentare përmes politikës së jashtme, duhet të kenë një koordinim të mirë… Nuk guxojnë ta cenojnë rrugën e njëdrejtimshme për integrime euroatlantike. Jemi në prag të vlerësimeve të mëdha sa i përket NATO-s dhe rolit të Forcës së Sigurisë. Plani i rrugës dhe mekanizmat që janë ndërtuar më herët janë zhvilluar në përputhje me normat, ndërsa në integrimet evropiane kemi mbetur në shkallën e aplikimit për statusin e kandidatit”, tha ai.
Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, më 12 tetor 2026 e cilësoi të papranueshëm ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Ajo tha se ndryshimet bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj BE-së dhe se ndryshimi i rregullave gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore bie ndesh me standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit.
Madje, në një takim me kryenegociatorin e Kosovës për BE-në, Jeton Zulfaj, më 15 tetor, ajo tha se ndryshimi i ligjit për Specialen është një hap serioz prapa në rrugën evropiane të Kosovës.
Kosova, më 6 tetor, miratoi Ligjin e ri për Gjykatën Speciale, pas dënimit më 16 shtator të ish-krerëve të UÇK-së nga kjo gjykatë. /KosovaPress/