Qeveria në detyrë rrit pagën minimale për vitin 2026 – gjithçka nga mbledhja e sotme

Qeveria në detyrë ka miratuar projektbuxhetin në vlerë prej katër miliardë euro për vitin 2026. Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi mori vendim për rritjen e pensioneve në 150 euro, si dhe shtesave për fëmijë për 50 për qind nga muaji nëntor i këtij viti. Po ashtu, qeveria në detyrë mori vendim për rritjen e pagës minimale për vitin 2026. Paga minimale u tha se do të rritet në dy faza: nga 1 janari i vitit 2026 paga minimale do të jetë 425 euro, ndërkaq nga korriku i vitit 2026 paga minimale do të bëhet 500 euro.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se buxheti për vitin 2026, që parasheh edhe pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik, i përmbahet rregullave fiskale. Ai tha se shumica dërrmuese e buxhetit katërmiliardësh për vitin 2026 vjen nga tatimet indirekte dhe ato direkte.

“Kemi një buxhet rekord sa i përket madhësisë. Kemi një buxhet ku shpenzimet buxhetore kapin vlerën e katër miliardë eurove, apo më saktësisht 3 miliardë e 967 milionë euro buxhet i planifikuar për vitin 2026. Ky buxhet paraqet një rritje afërsisht prej 10 për qind në krahasim me buxhetin për vitin 2025. Kemi të hyra të parashikuara apo projektuara në vlerë 3 miliardë e 637 milionë euro. Kryesisht shumica dërrmuese vjen nga tatimet indirekte dhe direkte. Buxheti i projektuar për vitin e ardhshëm i përmbahet rregullave fiskale. Kemi deficit sipas rregullës fiskale – 9 për qind të Bruto Produktit Vendor. Ndërkaq, edhe sa i përket kufizimeve të pagave, totali i pagave është 980 milionë euro. Po ashtu, përbën mirëmbajtje të kufirit të caktuar të rritjes vjetore të çekut të pagave. Sa i përket Bruto Produktit Vendor, është projektuar që për vitin e ardhshëm të jetë në vlerën prej 12 miliardë eurosh. Si qeveri, kur kemi marrë mandatin, ka qenë në vlerë prej shtatë miliardë eurosh, ndërkaq vitin e ardhshëm do të jetë 12 miliardë euro”, tha ai.

Duke folur për rritjen e pensioneve bazike në 150 euro dhe shtesave për fëmijë për 50 për qind nga muaji nëntor, ministri në detyrë Murati tha se kostoja e përgjithshme për muajt në vijim është 11.4 milionë euro.

“Ky vendim parasheh rritjen e pensionit minimal nga vlera 120 euro në 150 euro në muaj. Konkretisht, prek skemat si vijon: skema e fëmijëve me aftësi të kufizuara të moshës 1–18 vjeç, pensioni i aftësisë së kufizuar, pensioni familjar, pensioni invalidor i punës. Kostoja e përgjithshme për muajt në vijim është 11.4 milionë euro – mjete që sigurohen nga Programi i Ringjalljes Ekonomike. Përderisa pensionet i kemi gjetur me 90 euro, shtesat për fëmijë i kemi gjetur 0 euro dhe i kemi bërë për herë të parë. Kjo është rritja e dytë brenda mandatit që po e bëjmë. Ndërkaq, sot po e miratojmë edhe rritjen për 50 për qind të tjera mbi nivelin ekzistues”, shtoi Murati.

Në anën tjetër, ministri në detyrë i Financave tha se rritja e pagës minimale do të bëhet në dy faza. Sipas tij, nga janari i vitit 2026 paga minimale do të jetë 425 euro, ndërkohë nga korriku i vitit 2026 paga minimale do të bëhet 500 euro.

“Pas analizave që kemi bërë sa i përket impaktit që mund të ketë edhe te sektori privat, te ndërmarrjet, por edhe te punonjësit. Kjo pagë minimale e re prek 150 mijë të punësuar në sektorin privat. Pas diskutimeve që kemi pasur dhe propozimeve që kemi marrë edhe nga përfaqësuesit e sindikatave dhe të bizneseve, propozimi ynë është që paga minimale për vitin e ardhshëm të bëhet 500 euro, apo 3 euro për orë pune. Gjithsesi, që kjo rritje të jetë e përballueshme edhe për ndërmarrjet dhe të mund të planifikojnë më lehtë gjatë vitit, rritjen e kemi planifikuar të jetë në dy faza. Ngjashëm siç e kemi pasur rritjen në pagat e sektorit publik në dy faza… I njëjti model është paraparë që të bëhet edhe sa i përket pagës minimale. Duke filluar nga data 1 janar 2026, propozimi është që paga minimale për orë pune të jetë në nivelin 2 euro e 50 cent, apo 25 për qind më e lartë sesa është aktualisht. Ndërkaq, nëse kjo përkthehet në orar të rregullt, kemi të bëjmë me nivelin 425 euro në muaj. Duke filluar nga data 1 korrik, që është faza e dytë, përcaktohet në nivelin prej 3 euro për orë pune dhe për orar pune të rregullt do të ishte 500 euro. Ky propozim vjen nga Ministria e Financave, pasi kështu e parasheh ligji – që në mungesë të propozimit nga Këshilli Ekonomik-Social, propozimi të vijë nga ministria”, theksoi Murati.

Qeveria në mbledhjen e sotme miratoi edhe buxhetet për vitin 2025 të komunave Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok. Ministri në detyrë Murati tha se tani i takon Kuvendit të Kosovës që t’i miratojë këto buxhete.

“Deri më 30 shtator të vitit 2024 nuk kanë qenë të miratuara buxhetet e këtyre tri komunave: Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok. Gjithashtu, nuk janë miratuar as deri në afatin kur ka qenë e mundshme të përfshihen në Ligjin për ndarjet buxhetore dhe në proceset në Kuvend. Këto tri komuna buxhetet i kanë miratuar vetëm pas këtij afati. Megjithëse për disa prej tyre që kanë ardhur në muajin dhjetor ne i kemi proceduar në Kuvend, nuk është mbajtur asnjë mbledhje për shkak të zgjedhjeve…Tani është e rëndësishme, dhe meqë tani kemi Kuvend të konstituar, këtij Kuvendi po ia përcjellim buxhetet e këtyre tri komunave në mënyrë që Kuvendi t’i miratojë dhe t’i bëjë pjesë të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit 2025. Nga muaji i ardhshëm, nëse miratohet nga Kuvendi, komunat mund të kenë në dispozicion edhe buxhetin e vitit 2025. Pra, i takon Kuvendit që të mbledhë komisionet parlamentare dhe të thërrasë seancë plenare që t’i miratojë këto”, përfundoi ai.

Buxheti për vitin 2025 ishte 3.6 miliardë euro, derisa paga minimale ishte 350 euro bruto, shtesat për fëmijë ishin 20 euro, pensioni bazik 120 euro. /KosovaPress/

Read Previous

Bayerni i pandalshëm, synon ta vazhdojë ecurinë rekorde

Read Next

Kurti: Në takim me Osmanin do të shkoj me konstruktivitet dhe optimizëm