​Pse FBK është në krizë financiare? Elvira Dushku zbulon arsyet

Sekretarja e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku, ka folur për gjendjen financiare në të cilën ndodhet federata, duke treguar disa nga arsyet që kanë çuar në krijimin e kësaj situate.

Dushku ka thënë se një pjesë e obligimeve financiare janë bartur nga vitet e kaluara, ndërsa një tjetër pjesë lidhet me mjetet që ende nuk janë inkasuar nga sponsorët, Ministria e Rinisë dhe Sportit dhe klubet e ProCredit Superligës.

Ajo ka bërë të ditur se vetëm klubet e Superligës së Kosovës në basketboll kanë rreth 355 mijë euro obligime ndaj FBK-së, duke theksuar se këto borxhe nuk i përkasin vetëm edicionit aktual, por edhe sezoneve të kaluara.

“Arsyeja pse Federata e Basketbollit ka obligime normalisht që disa prej tyre janë të viteve të kaluar, tjerat janë për shkak se ende nuk janë inkasuar mjetet nga sponsorët, ende nuk janë inkasuar mjetet nga ministria, ende nuk janë inkasuar mjetet nga klubet e ProCredit Superligës. Vetëm klubet e Prokredit Superligës deri tani kur po flasim janë diku 355.000 euro obligime ndaj Federatës së Basketbollit. Këto nuk janë obligime vetëm të këtij edicioni, por janë obligime edhe të edicioneve të kaluara, marrëveshje të cilat nuk i kanë zbatuar, nuk i kanë kryer obligimet. Kështu që kur jemi duke folur që ka federata obligime, ne po pranojmë që jemi në krizë financiare, por jemi duke e finalizuar planin e rimëkëmbjes për pesë vitete e ardhshme në mënyrë që me dalë përfundimisht federata në plus sepse ne po mendoj edhe këtë vit besoj që do të arrijmë t’i rimbursojmë ato obligimet që i kemi pas edhe prej vitit të ardhshëm e tutje normalisht t’i zvogëlojmë shpenzimet t’i zvogëlojmë pak më shumë aktivitet, mos t’i zvogëlojmë, mos t’i largojmë aktivitet. Kështu që po besoj që jemi në rrugë të mirë. Po këtu normalisht i presim të hyrrat nga Ministria për projektet që i kemi zhvilluar gjatë verës”, tha Dushku.

Sekretarja e FBK-së ka bërë të ditur se federata është duke finalizuar një plan pesëvjeçar të rimëkëmbjes financiare, me synimin që të tejkalojë krizën dhe të arrijë stabilitet financiar, pa qenë e detyruar të heqë dorë nga aktivitetet sportive. /KosovaPress/

Read Previous

Britania dhe BE-ja drejt marrëveshjes për lehtësimin e tregtisë pas Brexit-it

Read Next

Malaj: Nga 1 janari dyfishohet bonusi mujor për pensionistët, indeksimi në prill