​Ish-presidentja Jahjaga mbështet Marshin për Liri në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka shprehur mbështetjen për Marshin për Liri, i cili do të mbahet më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Kjo u bë e ditur pas një takimi që ajo pati me përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria Ka Emër”. Me këtë rast, siç bëhet e ditur nga kjo platformë, është diskutuar për rëndësinë e kësaj ngjarjeje dhe mesazhin e saj në përkrahje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Përfaqësuesit e platformës kanë vizituar edhe muzeun “Çast”, të themeluar nga Fondacioni Jahjaga, kushtuar viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Përmes një qasjeje artistike dhe konceptuale, muzeu pasqyron dhimbjen, përvojat dhe sfidat e të mbijetuarve, përfshirë stigmën me të cilën përballen në jetën e përditshme”, thuhet në një njoftim të platformës, transmeton KosovaPress.

Platforma “Liria Ka Emër” ka falënderuar Jahjagën dhe fondacionin e saj për mikpritjen dhe përkrahjen ndaj Marshit për Liri. /KosovaPress/

Read Previous

SHBA | Pacienti jetoi 271 ditë pa dializë me veshkë derri të modifikuar gjenetikisht

Read Next

Ministri Hoxha: Shqipëria ka hyrë në një fazë vendimtare të procesit të pranimit në BE