Ish-presidentja Jahjaga mbështet Marshin për Liri në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së
Një veshkë e transplantuar nga një derr ka funksionuar për 271 ditë te një pacient, periudha më e gjatë e regjistruar deri më tani, bëjnë të ditur mjekët në SHBA, shkruan BBC.
Tim Andrews, i cili vuante nga sëmundja e veshkave në fazën përfundimtare si pasojë e diabetit të tipit 2, iu nënshtrua transplantit më 25 janar 2025, në moshën 66-vjeçare. Veshka e derrit filloi të funksionojë menjëherë dhe vazhdoi për 271 ditë, para se të hiqej në tetor. Më pas Andrews iu nënshtrua dializës për 82 ditë, derisa në janar të këtij viti mori një veshkë nga një dhurues njerëzor, e cila po funksionon mirë.
Mjekët e Mass General Brigham thonë se rasti tregon se organet e derrave mund të përdoren si një “urë” deri në gjetjen e një organi njerëzor. Ekspertët po hulumtojnë ksenotransplantimin, pra përdorimin e organeve të kafshëve te njerëzit, për shkak të mungesës së organeve për transplantim. Në SHBA, rreth 100 mijë njerëz janë në pritje të një veshke, ndërsa kryhen vetëm rreth 25 mijë transplante në vit.
Për të shmangur refuzimin nga sistemi imunitar, studiuesit kanë zhvilluar derra miniaturë Yucatan me 69 modifikime gjenetike, të cilat synojnë ta bëjnë organin më të përshtatshëm për trupin e njeriut dhe të ulin rrezikun e infeksioneve.
Edhe pse tek Andrews pati shenja të hershme të refuzimit të organit, ato u trajtuan duke rregulluar mjekimin. Pas rreth gjashtë muajsh, enët e gjakut në veshkë filluan të dëmtoheshin, organi u inflamua dhe më pas filloi të dështonte. Megjithatë, nuk u gjetën shenja të antitrupave që po sulmonin veshkën.
Sipas transmetuesit britanik BBC, mjekët thonë se ky rast tregon njëkohësisht potencialin e madh dhe sfidat që mbeten në transplantimin e organeve të kafshëve te njerëzit. Për Andrews, transplanti përfaqësoi “shpresë” dhe mundësinë për të shmangur muajt e dializës. /KosovaPress/